Greqisë do t’i falët edhe pjesa e dytë e borxheve
Në pranverë investitorët privatë i falën Greqisë një pjesë të borxheve. Tani, treshja a e BE kërkon që këtë ta bëjnë edhe vendet e Eurozonës. Për ministrin gjerman të Financave, kjo kërkesë vjen një vit më herët se duhet.Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, ia hoqi pjesën interesante raportit që pritej prej kohësh të troikës, duke e përjashtuar pak kohë më parë një falimentim shtetëror të Greqisë. Tani është raporti që pritet të publikohet ai që tërheq vëmendjen. Sepse ekspertët e Komisionit Evropian, të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) si dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) sipas medieve kërkojnë në raport për të dytën herë një falje të një pjese të borxheve të Greqisë. Në një kohë që qethja apo falja e një pjese të borxheve nuk është gjë tjetër veçse një procedurë falimentimi, pra një shpallje e falimentimit: "Këto janë dy fjalë për të njëjtën gjë. Por Greqia dihet që ka falimentuar".
Këtë e thotë eksperti i Financave, Max Otte. Që në mars të këtij viti, bankat dhe sigurimet u desh të heqin dorë nga kërkesa e rreth 100 miliardë eurove Greqisë. Po kjo bëri pak dobi, sepse ekonomia greke vazhdon rrudhjen. Pasoja: borxhet e përgjithshme në raport me produktin e brendshëm bruto sërish po ecin rreth kuotës 160 për qind- kjo ishte kuota edhe para faljes së parë të borxheve.
Prandaj ka ardhur koha që të bëhet një qethje e vërtetë e borxheve, e cila përfshin në mënyrë të arsyeshme pasuritë e mëdha dhe kreditorët e mëdhenj, kërkon Max Otte. "Huatë greke janë në një pjesë të madhe në duart e bankave greke. Kjo do të thotë, që një falje e vërtetë borxhesh për Greqinë do të rëndonte shumë fort bilancet e bankave greke. Shumë prej tyre do të falimentonin. E me këtë do të bëheshin menjëherë më të varfër edhe grekët super të pasur, të cilët përfitojnë nga mjerimi i vendit të tyre", raporton Dw.
Por ministri gjerman i Financave është kundër një faljeje të dytë të borxheve, e cila këtë herë do të prekte pashmangshëm edhe kreditorët publikë. Sepse janë edhe ata që posedojnë një pjesë të madhe të letrave greke. Meqenëse FMN dhe BQE nuk marrin pjesë në faljen e kapitalit, ato që mbeten janë vetëm vendet e euros, të cilat duhet ta harrojnë një pjesë të borxheve përballë Greqisë. Deri tani, Gjermania u ka dhënë hua grekëve, përmes kredive ndihmuese dhe blerjes së huave të BQE rreth 80 miliardë euro. Në një falje borxhesh prej 50 për qind, gjermanët do të kishin humbje 40 miliardë euro. /Telegrafi/