Hamza: Kosova nuk do të futet në krizë financiare
Kosova nuk do të futet në krizë financiare. Prioritet i Qeverisë do të jetë ruajtja e stabilitetit makrofiskal. Kjo është përgjigjja e ministrit të Financave, Bedri Hamza, ndaj deklaratave të fundit të opozitës se Kosova do të kaplohet nga një krizë ekonomike dhe financiare. Ministri i Financave, Bedri Hamza, thotë se performanca e të hyrave në buxhetin e Kosovës, sipas tij, është më e mirë se vitet e kaluara, që ka ndikuar në rritjen e parasë së gatshme në krahasim me fillimin e vitit dhe që nuk lë, sipas tij, vend për dyshim në likuiditetin financiar.
Sipas Hamzës, për të mos u futur në një krizë ekonomike e financiare, Qeveria ka vënë në top-prioritet ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal, por nuk do të lërë anash as prioritetet e saj të ndërtimit të autostradave. Ministri i Financave nuk pajtohet me raportin e fundit të Bankës Qendrore e as me vlerësimet e saj për numrin e të papunëve. Për vitin 2013, Hamza thotë se ka siguruar mjetet për fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë - Shkup dhe për rritjen e pensioneve.
“Sa u përket trendëve aktuale për vitin 2012 jemi në rrugë të mirë që të përmbushim parashikimet tona. gjatë periudhës gjashtë mujore të këtij viti, duke krahasuar me vitin paraprak, kemi arritur të mbledhim 12 për qind më shumë të hyra. të hyrat për buxhetin e Kosovës janë stabilizuar”, ka thënë ministri Hamza gjatë një interviste për Kohën Ditore. /Telegrafi/