Harrohet linja energjetike Shqipëri- Kosovë
Gjermania prej vitesh është donatori më i madh për Shqipërinë. Në këto vite bashkëpunim ajo ka vënë më shumë se një miliard euro në formën e kredive dhe granteve për realizimin e projekteve për zhvillim.Por, siç duket në një njoftim të publikuar nga gazeta “Shqip”, vihet re se energjia, që ka qenë një sektor i preferuar i bankës gjermane KFW, nuk konsiderohet më prioritet, madje është hequr nga lista e financimeve.
“Fondet e reja të miratuara përqendrohen në përmirësimin e furnizimit me ujë, nxitjen e arsimit profesional dhe rritjen ekonomike në zonat rurale. Gjermania kontribuon kësisoj në nxitjen e punësimit në Shqipëri në kohë krizash ekonomike,” pohohet nga ambasada.
“Bashkëpunimi gjerman për zhvillim mbështet bashkëpunimin rajonal në Europën Juglindore. Si shembull në këtë kontekst është linja e tensionit të lartë Shqipëri– Mal i Zi, inauguruar në mënyrë të suksesshme më 2011 në prani të kryeministrit Berisha dhe ministrit federal Niebel”, pra përshkruhet suksesi për këtë linjë, ndërsa për linjën e interkonjeksionit me Kosovën nuk prononcohen, duke e mbuluar me mister.
Ndoshta për problemet me projektin e kësaj linje, ku prej një viti është anuluar tenderi prej 75 milionë eurosh, duhet të presim, pasi javës që vjen do të mbërrijë në Tiranë delegacioni me ekspertë të Ministrisë Federale të Bashkëpunimit Ekonomik, ku pritet të diskutohen me kryeministrin për shumë çështje, madje do të vendoset edhe fati i projekteve dhe shuma e financimeve të mëtejshme. /Telegrafi/