Inflacioni gjatë gushtit 3.1%
Shkalla e inflacionit që pasqyron shtrenjtimin e produkteve të domosdoshme për jetë është ngritur në 3.1 për qind ndërmjet periudhës gusht 2011-gusht 2012. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, niveli i ngritjes së çmimeve i referohet kryesisht shtrenjtimit të produkteve që shërbejnë për transportin personal, por edhe shtrenjtimit të artikujve tjerë të konsumit ditor. Nafta dhe benzina janë shtrenjtuar për 7.1 për qind ndërmjet periudhës njëvjeçare. Një litër naftë në gushtin e vitit të kaluar kushtonte 1.25 euro, përderisa e njëjta sasi në gushtin e këtij viti shitej për 10 centë më shtrenjtë. Një litër benzinë në gushtin e sivjetshëm është shitur për 1.36 euro, ndërkohë që në vitin e kaluar e njëjta sasi shitej për 11 centë më lirë.
Rryma është produkt tjetër i domosdoshëm për jetë dhe që është shtrenjtuar për 8.9 për qind ndërmjet periudhës njëvjeçare. Në gushtin e vitit të kaluar një kilovat i energjisë elektrike mesatarisht faturohej për 0.042 euro, ndërsa sasia e njëjtë e energjisë elektrike në gushtin e këtij viti është faturuar me çmim prej 0.046 eurove. Drutë për djegie gjithashtu janë shtrenjtuar nga viti 2011 për 10.7 për qind. Një metër kub dru në gusht të vitit 2011 shitej me çmim mesatar prej 32.52 eurosh, ndërkohë që sivjet sasia e njëjtë e druve është shitur me çmim mesatar prej rreth 36 eurosh, shkruan Koha Ditore.
Mishi është shtrenjtuar për 4 për qind, përderisa vezët janë shtrenjtuar për 2.4 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Një kilogram mish i gjedhit në gusht të 2011-ës ka kushtuar 5.80 euro ndërkohë që në gushtin e sivjetshëm kilogrami i mishit është shitur mesatarisht për 6.22 euro. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se një pako prej 30 vezëve është shtrenjtuar për rreth 15 centë nga viti i kaluar, duke arritur çmimin prej 3.07 eurosh.
Perimet janë shtrenjtuar për 9.4 për qind. Në kilogram domate në gushtin e vitit të kaluar është shitur për 0.40 euro, ndërkohë që e njëjta sasi në gushtin e sivjetshëm është shitur më çmim mesatar prej 0.62 euro. Fasulja nga 1.89 euro sa shitej me kilogram në vitin e kaluar, është shtrenjtuar në 2.07 euro për kilogram në gushtin e sivjetshëm. Edhe pemët janë shtrenjtuar ndjeshëm për dallim nga fundi i verës së kaluar. Një kilogram banane në gushtin e vitit 2011 kushtonte 0.84 euro ndërkohë që në gushtin e sivjetmë e njëjta sasi është shitur me çmim prej 0.98 eurove. /Telegrafi/