Institucionet do të furnizohen me produkte vendore
Shumë shpejt pritet që Kosova të ketë Ligjin për blerjen e produkteve kosovare nga institucionet vendore si dhe të funksionalizojë shtatë gjykata themelore në nivel të Kosovës si dhe një tjetër të apelit. Kjo është bërë e ditur pas takimit të pestë të Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Gjithashtu pritet që Kosova këtë vit të ketë një renditje më të mirë në raportin e Bankës Botërore për renditjen e shteteve e ‘të bërit biznes’.Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila tha se Ligji për përdorimin e produkteve vendore, nga ky muaj do të fillojnë diskutimet me asociacionet e biznesit për trajtimin e kësaj teme, për të parë se cilat janë produktet kosovare të cilat mund t’i shërbejnë institucioneve publike në furnizim.
Sipas saj, janë llogaritur edhe vlera e kontratave që bëjnë institucionet brenda një vit. “Raporti i Komisionit për Prokurimin Publik për vitin 2011, numri i kontratave ka qenë 12 mijë e 310 në nivel të Kosovës nga agjencitë dhe kompanitë publike, vlera e nënshkruar e këtyre kontratave arrin në 552 milionë e 150 mijë euro. Nëse e vështrojmë nga afër, vlera e kontratave sipas llojit të prokurimit, Qeveria e Kosovës shpenzon 308 milionë në furnizime, 65 milionë në shërbime, 2 milionë në konkurse të projektimit, 179 milionë në punë. Ndërsa nga operatorët lokalë janë marrë 411 milionë e 401 mijë euro, do të thotë shumica e kësaj shume, por ideja është që jo vetëm kontratat të merren nga operatorët lokalë por edhe shërbimet dhe prodhimet që hyjnë në kuadër të zbatimit të këtyre projekteve të jenë me origjinë kosovare”, ka thënë ajo.
Meqë për komunitetin e bizneseve konsiderohet si problematikë koha e gjatë e trajtimit të lëndëve nëpër gjykatat e Kosovës si dhe ekzekutimi i tyre pas marrjes së vendimit, të martën është bërë e ditur, se shumë shpejtë do të funksionalizohen shtatë gjykata themelore në nivel të Kosovës dhe një gjykatë e apelit. “Ligji mbi Gjykatat që shpresoj do të kalojë deri në janar të vitit 2013, nga i cili do të themelohen shtatë gjykata themelore në nivel të Kosovës, një gjykatë e apelit, gjithashtu një theks i veçantë i është vënë sistemit alternativ të zgjidhjes së konteksteve përmes arbitrazhesh dhe natyrisht funksionalizimi i noterisë”, tha ajo.
Kusari-Lila ndër të tjera ka shprehur besimin saj se në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, Kosova këtë vit do të renditet shumë më mirë se në vitet e kaluara. “Unë vetëm mund të spekulojë tani me radhitjen e Kosovës, por mund të them se jam e bindur se Kosova do të ketë një rangim më të mirë këtë vit sesa viteve të mëhershme. Janë edhe tri javë, natyrisht ne jemi në ethe të pritjes së këtij raporti në aspektin pozitiv, por natyrisht nuk është ndalur procesi i reformave”, theksoi Kusari - Lila.
Ajo ka thënë se kanë qëllim që deri në vitin 2014, Kosova të arrijë në top 40 vendet reformatore në raportin e Bankës Botërore.
Sa i përket vizitës së delegacioneve të vendit në SHBA, ajo ka pohuar se secili ka pasur agjendën e tij, dhe se me shumë prej tyre as që është takuar. Duke thënë se mund të flet vetëm për veten, ka njoftuar se ka qenë vetë e treta në këtë udhëtim, me një drejtor dhe një këshilltar. /Telegrafi/