Investimet në bujqësi krijuan 2175 vende pune
Sektori i bujqësisë është nga më premtuesit, i cili po krijon efekte të punësimit, e që është njëra nder problematikat kryesore në vendin tonë. Kështu u tha në takimin e dytë të Komitetit Monitorues për Planin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ku u prezantua Raporti i monitorimit të implementimit për vitin 2011 dhe Raporti i vlerësimit afatmesëm të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2007-2013, i cili përfshin edhe efektet ekonomike dhe efektet në punësim. Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci tha se ajo që do ta tërheq vëmendjen e opinionit janë rezultatet e prekshme që dalin nga ky vlerësim, e që është krijimi i 2 mijë e 175 vende të reja të punës. “Nëse e shohim si tërësi, sipas raportit të vlerësimit afatmesëm të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili është bërë nga Projekti i Bashkimit Evropian për Binjakëzim, në bashkëpunim me divizionin që ne kemi krijuar për monitorimin dhe vlerësimin kemi krijuar gjithsej 2175 vende të përhershme të punës në bujqësi. Ndërsa, përmes pagesave direkte subvencioneve, vlerësohet se përkrahim rreth 10 mijë vende ekzistuese të punës në vit”, tha ai.
Stavileci, u shpreh se nga viti në vit po rritet përkrahja për sektorin e bujqësisë, ky sektor tashmë po hyn në binaret e një zhvillimi adekuat. “Duke u rritur investimet në këtë sektor dhe duke u bërë projekte të reja të shumta, që do ta përmirësojnë gjendjen, vërtetë sektori i bujqësisë po hyn në binaret e një zhvillimi adekuat”, tha Stavileci.
Sipas raportit vlerësues të projekti të binjakëzimit, raport ky i cili është bërë me metodologjinë bashkëkohore shkencore, përmes investimeve në pemëtari, janë krijuar 326 vende pune, përmes investimeve në sera janë krijuar 365 vende pune, përmes investimeve në vreshtari janë krijuar 250 vende pune, përmes investimeve në sektorin e qumështit, janë krijuar 1079 vende të reja të punës dhe përmes investimeve në agropërpunim dhe tregtim, janë krijuar 155 vende të reja të punës, e që gjithsej janë 2 mijë e 175 vende të reja pune në këtë sektor.
Në këto shifra nuk përfshihet viti 2012 dhe se investimet janë për periudhën 2007-2011 dhe se vlera e mjeteve që janë disbursuar, për këtë periudhë, për grante investive ka qenë 17.5 milionë, ajo për subvencione 14.2 milionë euro dhe 5 milionë euro nga Komisioni Evropian, nga të cilat janë krijuar 2175 vende pune dhe janë mbështetur 10 mijë ekzistuese.
Ndërsa për vitin 2012 nga Ministria e Bujqësisë janë ndarë 17 milionë e 290 mijë euro për grante dhe subvencione.
Ndryshe, ky raport i cili është hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe projekti i BE-së për binjakëzim, i cili përbëhet nga shteti i Gjermanisë, Austrisë dhe Hungarisë, që nga sot do të jetë dhe në duar të institucioneve vendore e ndërkombëtare, Komisionit Evropian, BB, USAID-it, ambasadave të huaja në vendin tonë, pasi që raporti në fjalë tregon dhe dëshmon fuqishëm, që sektori i bujqësisë është njëri nga më premtuesit dhe i cili mund të jetë sektori numër një, sa i takon zhvillimit ekonomik. /Telegrafi/