Investimet në energjetikë edhe pa proces tenderues
Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik i ka propozuar amendamentet, të cilat do të përfshihen në Ligjin e minierave dhe mineraleve me qëllim që të krijohen kushte për investime edhe në fushën energjetike. Me amendamentet e propozuara nga ky komision procedurat për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese që kanë për bazë djegien e linjitit do të jenë shumë më të thjeshta. Nuk do të ketë nevojë për pritje me vite, siç ka qenë deri më tani, por procedurat mund të kryhen edhe brenda disa muajve.Tashmë për ndërtimin e një termocentrali mund të mos ketë fare tender, siç është vepruar deri më tani. Që nga viti 2006, në Kosovë ka nisur një proces i tenderimit për ndërtimin e një termocentrali në afërsi të termocentraleve ekzistuese, por që ende është në fazën fillestare për shkak të dështimeve.
Këshilltari i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Gëzim Baxhaku, ka thënë se zyrtarë të kësaj ministrie kanë marrë pjesë aktivisht në amendamentimin e Ligjit për miniera dhe minerale. Ai ka thënë se në momentin kur amendamentet e propozuara nga Komisioni Parlamentar të shkojnë në këtë ministri do të punohet në mënyrën më të mirë të mundshme. “Tendenca është që të thjeshtësohet procedura maksimalisht me qëllim që të krijojmë kushte për investime edhe në këtë lëmë”, tha Baxhaku, shkruan Koha Ditore.
Janë disa amendamente të propozuara nga Komisioni Parlamentar, por ai që pritet t’u hapë rrugë investimeve është riformulimi i nenit 18, paragrafi 7 i ligjit bazik. “Pavarësisht nga dispozitat e mësipërme të këtij neni, shprehimisht përcaktohet se kërkesa për proces konkurrues të tenderimit, sipas paragrafit 1. të këtij neni, nuk do të aplikohet për një licencë për një mineral energjetik nëse për shkaqe që ndërlidhen drejtpërdrejt me nevojën për të siguruar sigurinë e furnizimit energjetik ose tërheqjen e investimeve të konsiderueshme direkte në Kosovë”, thuhet në këtë amendament.
Pastaj është Komiteti për Partneritet Publiko-Privat organi që duhet t’i rekomandojë Qeverisë vendimin për aprovim me të cilin konstaton se ka interes publik në lëshimin e kësaj licence për një investitor specifik. Për dhënien e licencës për një mineral energjetik është i domosdoshëm edhe miratimi i Kuvendit të Kosovës.
Ahmet Tmava, kryetar i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka thënë se tendenca është të thjeshtësohet mënyra e marrjes së licencës për mineralet energjetike, pasi deri më tani kjo është dhënë vetëm përmes tenderit. /Telegrafi/