KEK: Shifrat e prokurimeve më të mirat në nivel vendi
Korporata Energjetike e Kosovës ka kundërshtuar, siç thonë ata konkluzat e pabaza të cekura në raportin e Organizatës joqeveritare “FOL”, lidhur me shkeljet e prokurimeve gjatë tremujorit të kaluar.KEK-u në kumtesën për media thekson se të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me KEK-un, ftohet organizata në fjale si dhe të gjitha palët e interesuara që për çdo proces të prokurimit t’i drejtohen Zyrës për komunikime të korporatës dhe t’i kërkojnë të gjitha dokumentet që iu nevojiten.
“KEK sh.a. zotohet në transparencë të plotë përmes krijimit të qasjes në përputhje të plotë me ligjin për qasje në dokumente zyrtare, edhe pse ky ligj nuk e obligon KEK-un për dhënie të dokumenteve. Kjo ftesë të gjitha palëve të interesit u bëhet në mënyrë që të mos vijë deri tek keqinformimi i opinionit”, thuhet në kumtesë.
Sipas kësaj korporate, të gjitha të dhënat rreth aktiviteteve të prokurimit tregojnë rezultatet më të mira në favor të KEK-ut.
“KEK-u për gjashtë mujorin e parë të vitit 2012 ka përfunduar 245 aktivitet prokuruese, me ç’rast janë nënshkruar 228 kontrata, vlera e të cilave është mbi 74 milionë euro. Në lidhje me këto nga gjithsej 14 ankesa sa janë paraqitur ndaj KEK-ut në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), shumica kanë rezultuar negative (në favor të KEK-ut), asnjë nga ato nuk është urdhëruar të anulohet dhe vetëm 3 ankesa janë rikthyer në rivlerësim, që përbën 0.4% e tërë aktiviteteve prokuruese. Ky fakt, e bën KEK-un me përqindjen më të ulët të aktiviteteve të kthyera nga OSHP...”, thuhet ndër të tjera në kumtesë./Telegrafi/