KEK-u nuk ka rënie të faturimit
KEK-u nëpërmjet një reagimi ka thënë se faturimi nuk ka shënuar rënie, por është rritur në 7 muajt e parë të këtij viti në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në periudhën kur përfshihet edhe koha e ftohtë dhe ajo e nxehtë ku janë të dhënat e gatshme finale, pra në 7 mujorin 2011 faturimi ishte 125 milionë euro, ndërsa në 7 mujorin 2012 është 133 milionë euro, pra ka një rritje prej 8 milionë eurosh. KEK përveç reagimit për shkak të pohimeve se KEK-ut i ka renë faturimi për 47 për qind të raportuar nga një gazetë ditore dhe të transmetuara edhe nga media të tjera shprehë indinjatën edhe ndaj krahasimeve joprofesionale të bëra nga Enti i Statistikave të Kosovës, duke qenë të vetëdijshëm se kërkesa gjatë dimrit është dyfish më e madhe se gjatë verës.
“Në tremujorin e dytë 2012 KEK ka furnizuar konsumatorët aq sa ka qenë kërkesa dhe nuk ka bërë reduktime për asnjë kategori. Pra, furnizimi nuk ka qenë asnjëherë më i mirë që nga paslufta. Por, KEK nuk mund t’i furnizojë konsumatorët mbi kërkesë sepse energjia elektrike nuk mund të depozitohet, por duhet konsumuar në momentin e prodhimit”.
Përformanca e KEK-ut nuk ka qenë asnjëherë më e mirë dhe ka rritje të vazhdueshme. Rritja konstante nga viti në vit në të gjithë parametrat ka vazhduar edhe këtë vit. “Pos faturimit është rritur edhe prodhimi edhe inkasimi, sikurse humbjet kanë vazhduar trendin rënës. E gjithë kjo ka bërë që reduktimet si pasojë e mungesës së energjisë të mos aplikohen thuajse fare, indikator që tregon se KEK-u po stabilizohet në të gjithë parametrat”, thotë KEK-u në reagimin e vetë për media. /Telegrafi/