KEK-u s’do të mund t’i ulë humbjet siç kërkon ZRRE-ja
Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka pranuar kërkesat e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Operatorit të Tregut dhe Transmisionit për të hyrat në pesë vjetët e ardhshëm. Përfaqësuesit e këtyre ndërmarrjeve të hënën, para bordit të ZRRE-së dhe të shoqërisë civile, kanë shpalosur në vija të trasha investimet kapitale, shpenzimet për operacione dhe staf për pesë vjetët e ardhshëm.Si njëra ashtu dhe tjetra kanë specifikuar në prezantimet e tyre nevojën për investime si në transmision, distribucion, gjenerim e mihje në mënyrë që sektori të përmirësojë performancën dhe të arrijë që t’i përmbushë nevojat dhe kërkesat e konsumatorëve.
Prezantimi para publikut është hapi i parë për shqyrtimin e shtatë tarifor që ka nisur javë me parë, pas të cilit pritet analiza e tyre nga ZRRE-ja. E kjo e fundit pritet që më 19 tetor të publikojë vlerësimin kalimtar për konsultim rreth të hyrave të lejuara për të licencuarit.
Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Enver Halimi, ka shpjeguar se ZRRE-ja sipas legjislacionit në fuqi do të caktojë të hyrat maksimale të lejuara për periudhën pesëvjeçare për gjenerimin, transmisionin dhe shpërndarjen. Por këto të hyra do të mund të azhurnohen në baza vjetore për të reflektuar ndryshimet në mes të rrjedhës së parashikuar dhe asaj të realizuar të energjisë elektrike dhe çmimeve të parashikuara dhe atyre të realizuara të shitblerjes së energjisë, shkruan Koha Ditore.
Kurse kryesuesi i Departamentit për tarifa në ZRRE, Ardian Berisha, ka thënë se kërkesat e të licencuarve do të shqyrtohen me kujdes nga kjo zyrë. “ZRRE-ja do t’i analizojë me kujdes aplikacionet e të licencuarve për t’u siguruar që tarifat e reja të energjisë elektrike të mbulojnë vetëm kostot e arsyeshme dhe të domosdoshme të operimit efikas të kapaciteteve energjetike”, ka thënë Berisha.
Korporata Energjetike e Kosovës ka planifikuar që humbjet t’i ulë për 1.5 pikë të përqindjes, e jo siç është vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë prej 3 pikash të përqindjes.
Këtë fakt e ka bërë të ditur Arben Gjukaj, drejtor menaxhues i KEK-ut, me rastin e prezantimit të të hyrave maksimale të nevojshme për operim të KEK-ut në pesë vjetët e ardhshëm.
Ai ka thënë se alokimi i KEK-ut bëhet nën supozimin që KEK-u do të vazhdojë të operojë njëjtë në gjenerim, distribucion, mihje dhe furnizim. Po ashtu aplikimi është bërë duke supozuar se “Kosova A” do të mbetet në punë deri në vitin 2020, kurse nuk do të ketë kapacitete të reja deri në vitin 2017. Po ashtu është supozuar se investimet në rrjet do të bëhen sipas dinamikës së paraparë nga KEK-u, mirëpo është thënë se kur investitori i ri të marrë pronësinë, ai të mund të kërkojë dinamikë më të shpejtë për investime.
Gjukaj ka përmendur edhe investimet e planifikuara në njësitë e termocentralit “Kosova A dhe B”, si dhe investime kapitale të nevojshme në mihje. Importi do të jetë një nga faktorët që do të ndikojë në tarifat e energjisë elektrike.
Gjukaj ka thënë se në vitin 2008 importi është subvencionuar nga Qeveria e Kosovës, kurse deri në vitin 2014 ato do të ndalen tërësisht. Ndërkohë që kostoja e importit duhet të mbulohet nga tarifat e energjisë elektrike. Në vitin 2013 parashihet që kosto e importit të jetë 50 milionë euro, prej tyre 13 do t’i mbulojë Qeveria e Kosovës. Kurse në vitin 2014, kostoja e importit do të jetë 56 milionë, e cila do të mbulohet nga tarifat e energjisë. Vlera e importit të energjisë në vitin pasues do të jetë 62 milionë, kurse në vitin 2016 është planifikuar që të shpenzohen rreth 70 milionë për import të energjisë elektrike. Kurse në vitin 2017, atëherë kur pritet të bëhet ndërhyrje në TC “Kosova B”, në mënyrë që t’i plotësojë kërkesat ambientale, pritet që importi i energjisë t’i kushtojë Kosovës rreth 113 milionë euro. /Telegrafi/