KEK-u shkyç konsumatorët pa paralajmërim
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po i shkyç konsumatorët e vet pa paralajmërim. Të paktën kështu thonë qytetarët, të cilëve u ka ndodhur një gjë e tillë. Zyrtarë të KEK-ut thonë se nëse fatura nuk paguhet brenda 15 ditësh nga data e lëshimit, atëherë konsumatori bëhet subjekt i shkyçjes. Por nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, thonë se është edhe afati shtesë pas 15 ditëshit të parë, ku janë edhe 15 ditë shtesë kur konsumatorit duhet t’i shkojë paralajmërimi për shkyçje.Kohëve të fundit qytetarët janë ankuar se KEK-u po i shkyç nga rrjeti elektrik pa paralajmërim.
Por Petrit Haziri, zyrtarë për mbrojtjen e konsumatorëve në ZRrE thotë se fatura e ka afatin e paraparë për pagesë, por e ka edhe afatin shtesë kur atij duhet t’i shkojë edhe paralajmërimi për shkyçje. “Ekziston një afat ligjor brenda të cilit KEK-u, apo kompania e cila bënë furnizimin e konsumatorëve me energji, nuk bënë shkyçjen e tyre nga rrjeti elektrik”, thotë ai.
Por sipas Hazirit, nëse fatura nuk paguhet brenda afatit të përcaktuar prej 15 ditësh, ekziston edhe afati tjetër ku KEK-u ia dërgon konsumatorit paralajmërimin për shkyçje, që sipas tij, nuk guxon të jetë më i shkurtë se 15 ditë.
Kurse Labinot Morina, qytetar nga Kodra e Diellit, ka thënë se që dy herë KEK-u e ka shkyçur atë nga rrjeti elektrik pa paralajmërim. “Ndodh dy herë që KEK-u edhe para një jave, por edhe para dy muajve, pa paralajmërim na shkyç prej rrymës.
Hera e parë ka qenë një shumë prej 80 eurove që KEK-u na ka shkyç pa paralajmërim, vetëm kur e kemi pa që nuk kemi rrymë. Në të vërtetë hera e parë ka ndodh kur ata e kanë lan një letër të vogël në derë dhe kanë thanë që duhet me e paguar rrymën, e shkruar me dorë, jo informatë zyrtare”, tha ai.
Në anën tjetër, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala tha për Kosovapress se për çdo shkyçje KEK-u dërgon edhe paralajmërim shtesë, por edhe nëse nuk dërgohet, ai ka thënë se vetë afati i faturës së gjendet mbrapa saj dhe mos pagesa brenda saj, konsumatori bëhet subjekt i shkyçjes.
“KEK-u secilin rast të shkyçjes e dërgon edhe paralajmërimin përkatës, mirëpo, kjo nuk mund të thuhet se ka shkelje ligji, për një arsye shumë të thjeshtë, edhe nëse nuk dërgohet paralajmërimi, arsyeja është se në fund, në anën e pasme të faturës gjithmonë shënohet data kur personi duhet ta paguajë, dita e fundi kur konsumatori duhet ta paguajë faturën e tij, për ndryshe do të jetë subjekt i shkyçjes. Do të thotë, paralajmërimin e ka gjithmonë brenda faturës”, shtoi Buzhala. /Telegrafi/