KEK-ut i humb gati gjysma e rrymës
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), kurrsesi nuk po mund të arrij deri te gjetja e një forme, e cila do t’i ndalonte humbjet e energjisë elektrike të prodhuar në blloqet e saj. Vetëm gjatë vitit 2011, KEK-ut i kanë humbur rreth 37 për qind të energjisë së prodhuar. Por krahasuar me vitet e tjera KEK-u ka përmirësuar këtë bilanc negativ dhe vetëm në periudhën gjashtë mujore të këtij viti KEK-ut i ka humbur 33 për qind e energjisë së prodhuar. Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, tha për Telegrafin, se kjo korporatë ka ulur humbjen për 11 për qind brenda katër vjetëve. Trendi i uljes, sipas tij, po vazhdon edhe sivjet. “Humbjet totale të energjisë elektrike janë 36.7 për qind për vitin 2011”, thotë Buzhala.
Aktualisht sipas tij, humbjen e energjisë elektrike në gjashtë mujorin e patë të këtij vitit janë me përjashtim të pjesës veriore në Mitrovicë. “Humbjet totale për 6 mujorin e vitit 2012 duke i përjashtuar ato ne pjesën veriore janë 33 për qind”, thotë zëdhënësi Buzhala.
“Pasi bëhet fjalë për sistem çmimesh dhe lloje të ndryshme të energjisë atëherë vlera e saktë është e pamundur të dihet. Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, edhe pse KEK-u ka ulur humbjet në vazhdimësi, me mbi 11 për qind vetëm gjatë katër vjetëve të fundit dhe ato kanë serish trend të uljes së mëtutjeshme”, tha zëdhënësi i korporatës, Buzhala.
Në anën tjetër, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi, thotë për Telegrafin se pavarësisht përmirësimeve të performancës së KEK-ut për të ndalur trendin e humbjes së energjisë së prodhuar, nuk po mjafton që gjendja të jetë në nivelin e duhur. “Për vëllimin e këtyre humbjeve me qartë tregon fakti se KEK-ut i kanë humbur 1.876 gigavat orë, që është gati e barabartë me prodhimin vjetor të Termocentralit ‘Kosova A’”, tha Rexhepi.
Eksperti Ibrahim Rexhepi thotë se një pjesë të fajit për humbjet e rrymës e bartë edhe menaxhmenti i KEK-ut. “Menaxhmenti i KEK-ut është përgjegjës kryesor për këto humbje, posaçërisht për ato komerciale. Ata duhet të merren me hajnat, ndonëse këtu kanë nevojë edhe për policinë e për një gjyqësi efikase”, thotë ai.
Rexhepi pret që të eliminohen humbjet teknike me privatizimin e distribucionit. “Raporti i vitit 2011 tregon se humbjet e energjisë elektrike ishin 38.15 për qind, një vit me herët 41.22 për qind, kurse në vitin2009 42.80 për qind”, thotë Drejtori i STRAS-it, Ibrahim Rexhepi.
Korporata Energjetike e Kosovës ka një problem të madh me pjesën veriore të Mitrovicës ku KEK dërgon 4 për qind të energjisë së prodhuar, ndërsa nuk merr asnjë cent nga atje. /Telegrafi/