Kërkohet ndryshimi i projektligjit për pagat e funksionarëve publik
Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka mbajtur takimin e radhës të premten në kryesimin e kryetarit të Këshillit dhe Kryeprokurorit të Shtetit, Ismet Kabashi. Këshilli Prokurorial i Kosovës deklarohet se ky Projekt ligj shpërfillë parimin e barazisë së pushteteve, degradon pozitën dhe autoritetin e sistemit prokurorial dhe nuk respekton as Kushtetutën e Republikës së Kosovës, mbi të cilën është ndërtuar shteti i Kosovës. Edhe pse projektligji, ashtu si Kushtetuta, përmes nenit 3 si institucione të Republikës i njeh legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, në paga nuk i ka barazuar këto pushtete.Këshilli Prokuroril i Kosovës shpreh shqetësimin e tij se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk është konsultuar në asnjë fazë të hartimit të këtij projekt ligji, që si pasojë nuk janë përfshirë disa kategori kushtetuese dhe ligjore në listën e projekt ligjit. “Për më tepër, ky projekt ligj nuk përcakton se cili institucion mund të përcaktojë kategorinë e pagave për pozitat, të cilat nuk janë të përfshira në Shtojcën 1 të Projekt ligjit, ashtu siç është përcaktuar me nenin 5, paragrafi 3 dhe 6 të projekt-ligjit në fjalë, për pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv”, theksohet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Barazimi dhe vendosja në pozitë të njëjtë të pushtetit gjyqësor dhe prokurorial me agjencitë e pavarura të themeluara nga Kuvendi apo nga Qeveria është i papajtueshëm dhe fyes për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Ky projekt ligj nuk respekton parimin e barazisë së pushteteve të parapara me Kushtetutë, andaj, me qëllim që të ruhet dhe mbrohet barazia e pushteteve, siç është e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës, Këshilli Prokurorial i Kosovës kërkon që ky projekt-ligj të rishikohet dhe pagat e bartësve të funksioneve prokuroriale të jenë ekuivalente me pozitat e larta drejtuese shtetërore, siç janë të përcaktuara me Ligjin për Prokurorin e Shtetit”. /Telegrafi/