Kompanitë e naftës akuzojnë MTI-në për krijim të monopolit
Trupa inspektuese e konformitetit të naftës “Kpu Inspekt”, që është e vetmja e akredituar për marrjen e mostrave për kontrollim të naftës, ka reaguar kundër mosautorizimit të saj nga Ministria e Tregtisë gjatë procesit të mbajtur në korrik. Sipas një shkrese që mban firmën e drejtoreshës së kësaj trupe inspektuese, Lirije Karaxha-Pula, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë jashtëligjshëm ka autorizuar trupën inspektuese “Saybolt Pan Adriatika” nga Kroacia që tanimë mban monopolin për dhënien e dritës së gjelbër për naftën që hyn në Kosovë. “Edhe pse me ndryshimin e Ligjit për tregti me naftë, Ligjit për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit dhe Udhëzimit administrativ për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, është përcaktuar në mënyrë të qartë detyrimi i akreditimit të trupave inspektuese, ministrja e MTI-së në kundërshtim të plotë me ligjet dhe udhëzimin administrativ dhe pa i plotësuar kushtet e ka autorizuar trupën inspektuese ‘Saybolt Pan Adritika’ nga Kroacia për të kryer aktivitetin e inspektimit”, citon “Koha Ditore” reagimin e Lirije Karaxha-Pulës. Sipas shkresës, Karaxha-Pula akuzon ministren Kusari-Lila për mundësim të monopolit në treg për kompaninë “Saybolt”.
“Ministria e MTI-së trupës inspektuese ‘Saybolt Pan Adriatika’ që nga muaji maj 2012 i ka mundësuar pozitë dominuese në treg dhe favorizime të kundërligjshme për t’u marrë si e vetme me inspektimin e karburanteve të naftës në tregun e Kosovës, duke përjashtuar në mënyrë të kundërligjshme konkurrencën”, thuhet në shkresën e kompanisë “Kpu Inspect”, e firmosur nga Lirije Karaxha-Pula.
E nga Ministria e Tregtisë është thënë se akuzat e kompanisë “KPU Inspect” janë të pabaza. Sipas Arta Istrefit, këshilltare për media e ministres Mimoza Kusari-Lila, të njëjtat organe të cilat e kanë akredituar kompaninë “Kpu Inspekt” kanë zbatuar standardet për konformitetin e naftës edhe gjatë autorizimit të kompanive të tjera.
“Të gjithë trupat për vlerësim të konformitetit vlerësohen sipas kërkesave të standardeve gjegjëse”, tha Istrefi.
Njëkohësisht Istrefi ka konfirmuar se e vetme në tregun e kontrollimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të naftës që hyn në Kosovë operon kompania “Saybolt Pan Adriatika”. Për më tepër, kjo kompani ka autorizim deri në fillimin e vitit të ardhshëm, shkruan Koha Ditore.
“Për momentin është e autorizuar vetëm një trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të naftës, ‘Saybolt Pan Adriatika’ e cila ka autorizimin deri në shkurt 2013”, ka thënë Istrefi. /Telegrafi/