Komuna e Deçanit 377 mijë euro borxhe
Institutit për Studime të Avancuara(GAP), në një hulumtim ka treguar se Komuna e Deçanit, në fund të vitit 2011, kishte një borxh të konsiderueshëm publik, përkatësisht fatura të papaguara ndaj operatorëve privatë, në vlerën 377 000 euro. Nga lista e borxheve që ka komuna e Deçanit, sipas GAP-it, më shumë se 95 për qind e tyre i ka për derivate veturash, riparim veturash dhe për material për zyre, ndërsa pjesa tjetër ndaj ujësjellësit, KEK-ut dhe medieve për publikime dhe shpallje.
Në raportin “Letërnjoftimi i Komunës së Deçanit 2012” specifikohen edhe shumat e shpenzuara nga kjo komunë gjatë vitit 2011, për dreka dhe darka zyrtare, për karburante veturash si dhe shuma të shpenzuara nga komuna për mirëmbajtjen e veturave zyrtare. Kështu 108.451 euro janë shpenzuar gjatë vitit 2011 për karburante për vetura; 18.211 euro për dreka dhe darka zyrtare; 22.623 euro për riparimin dhe mirëmbajtjen e veturave zyrtare.
Nga 18.211 euro të shpenzuara për dreka dhe darka zyrtare, rezulton se Zyra e Kryetarit ka shpenzuar 5.632 euro, ndërsa shpenzime për dreka dhe darka kanë bërë edhe Drejtoria e Inspeksionit në vlerë prej 1.937 eurove dhe Zyra e Prokurimit me 998 euro.
GAP thekson se nuk është e qartë se pse dikasteret që i mbulojnë tenderët dhe ndërtimet, të shtronin dreka zyrtare. Rast i njëjtë konsiderohet edhe vlerësimi për mënyrën e shpenzimit të parave për karburant për vetura. Nga kjo rezulton se Drejtoria e Inspeksionit në Deçan më shumë ka shpenzuar për dreka zyrtare, sesa për karburant për vetura. “Zyra e Kryetarit ka shpenzuar karburant për vetura në vlerë prej 35.229 euro gjatë vitit 2011, Drejtoria e Kulturës 3.881 euro, Drejtoria e Inspeksionit 550 euro, ndërkaq Drejtoria e Gjeodezisë asnjë euro të shpenzuar. Kjo është paradoksale ngase drejtoritë që është dashur të dalin më së shumti në terren, kanë shpenzuar më së paku karburante për vetura”, behët e ditur në hulumtim.
Raporti numëron edhe problemet kryesore me të cilat aktualisht përballen deçanasit. Prerja e pakontrolluar dhe masive e pyjeve, mungesa e ujit të pijes, ekzistimi i dhjetëra deponive të egra mbeturinash, mungesa e përfshirjes së tërë territorit të Deçanit në rrjetin e kanalizimit, mos mirëmbajtja e Shtëpisë së Kulturës, mos menaxhimi efikas i zonës së quajtur ‘Podi i gështenjave’, mosasfaltimi i rrugës në relacionin Deçan-Plavë, llogaritën si probleme madhore për Komunën e Deçanit. /Telegrafi/