Komuna e Ferizajt me oferta serioze për bizneset
Operatorët që shfaqin interesimin e tyre për të marrë në pronësi parcela të pashfrytëzuara, sipas kritereve të dhënies së tyre që ka përcaktuar Kuvendi Komunal i Ferizajt, këtë mundësi e kanë deri më 15 shtator, kur edhe përfundon afati i aplikimit.Drejtori komunal për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, Mustafë Grainca ka thënë se tashmë është formuar një komision 7 anëtarësh (5 nga Kuvendi dhe 2 nga qeveria lokale), dhe ky komision ka formësuar një aplikacion për kërkuesit që ndodhet i postuar në faqen zyrtare të komunës.
Sipas drejtorit Grainca, të drejtën e marrjes së pronës komunale në pronësi e kanë jo vetëm ferizajasit, por gjithë shtetasit e Kosovës, pa lënë anash edhe shtetasit e huaj që mendojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre, në rast paraprakisht shpalosin idetë e tyre biznesore, që kanë biznese atraktive, kapacitete të mjaftueshme dhe që plotësojnë kriteret e këtij aplikacioni.
Grainca ka thënë se është punuar shumë në këtë drejtim, janë bërë analizat e duhura se sa ngastra janë të gatshme edhe në aspektin infrastrukturor, për t'u dhënë në fazën e parë. Sipas tij, nga 150 hektarë sa janë djerrinë, si potenciale për t'i dhënë në shfrytëzim janë caktuar 33 hektarë, në disa pika në kuadër të Komunës së Ferizajt.
"Kemi në Dardani 1 hektar e 23 ari të destinuar për prodhim dhe industri, Neredime të Poshtme 3 hektarë e 32 ari për bujqësi, në Prelez të Muhaxhirëve janë dy ngastra, njëra 59 ari, tjetra mbi 2 hektarë që do të dedikohen për prodhim-industri, në Bablak 20 hektarë pronë komunale të parapara për zhvillim të prodhimtarisë, bujqësisë, industrisë, në Babush të Ri dy ngastra, njëra mbi 2 hektarë, tjetra 16 ari, në Koshare gjithashtu dy ngastra, njëra 31 ari, tjetra 23 ari", ka thënë Grainca, transmeton Kosovapress. /Telegrafi/