Komunat pa tokë
Komunat e Kosovës i ka kapur sikleti se do të mbesin pa tokë. Meqë AKP s’la vend pa shitur, tash komunat po kërkojnë që vetë t’i menaxhojnë pronat. Ato thonë se s’u ka mbet tokë as për të ndërtuar shkolla e spitale, e as për t’u ofruar bizneseve hapësirë për investime.
Komunave nuk do me u mbet tokë as për bahçe. Shumicën e sipërfaqeve që i kanë pasur në pronësi dikur, tani i ka në menaxhim Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila gati e ka privatizuar pjesën më të madhe të pronave shoqërore.
Prona të tilla në territore të ndryshme të komunave që dikur ishin oborre të ndërmarrjeve gjigante tani janë kthyer në objekte kolektive banimi. Kjo po i shqetëson komunarët që përveç se nuk po kanë mundësi t’u ofrojnë investuesve hapësirë për zhvillim biznesi, nuk po kanë as ku të ndërtojnë shkolla e spitale për nevoja të qytetarëve.
Tani që toka “po harxhohet”, atyre duket se u ka rënë ndërmend se kanë nevojë për të që të zhvillohen ekonomikisht.
Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tregon se me ligjin e ri për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, që ka kaluar në qeveri pritet të rregullohet kjo çështje. “Disa komuna kanë mbet me shumë pak pronë komunale. Më herët komunat ia kanë dhënë pronat ndërmarrjeve shoqërore që po i privatizon AKP-ja”, thekson Ibrahimi.
Ai pohon se e kanë kontestuar qysh moti privatizimin e disa ndërmarrjeve, pasi shitja e tyre ka krijuar telashe në zhvillimin lokal. “Nëse mendojmë me ndiku në zhvillim lokal, atëherë nëse komuna nuk ka pronë s’mund të ketë as zhvillim ekonomik lokal”, shprehet Ibrahimi, shkruan Express.
Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës është miratuar në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës me vendimin nr. 03/86 më datë 07.08.2012. /Telegrafi/