KOSID: Reagimi i MZHE-së, demagogji klasike
Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) reagimin e djeshëm të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) e ka quajtur si një demagogji klasike pasi, sipas tyre, ai nuk ofron as edhe një dëshmi të mirëfilltë rreth bazës së arsyeshme mbi të cilën po bëhet privatizimi i KEDS-it. “MZHE nuk ka ofruar asnjë arsyetim të shëndoshë mbi çmimin e ulët me të cilin po falen asetet e shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike. Ata tentojnë të fshihen prapa vendimeve të Kuvendit për dështimin e tyre për të promovuar një proces të suksesshëm të privatizimit”, thuhet në një komunikatë të KOSID-it.
Sipas tyre, MZHE sërish po tenton të hedh të pavërteta në publik, duke thënë që është përgjigjur në të gjitha kërkesat për qasje në dokumente zyrtare. “KOSID njofton që çdo përgjigje e MZHE për shoqërinë civile ka qenë negative dhe asnjë dokument i kërkuar nga shoqëria civile në lidhje me procesin e privatizimit nuk është bërë publike nga MZHE “, thuhet në komunikatë.
Sipas KOSID-it, MZHE po dëshiron të fsheh për publikun faktin që këshilltari i transaksionit për privatizim të KEDS-it është nën hetime për këtë projekt. “Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), që është degë e Bankës Botërore, është nën hetime nga zyra e Ombudspersonit te IFC për shkeljen e standardeve të punës në projektin e privatizimit të KEDS.
Mungesa e transparencës, çmimi i ulët i shitjes së KEDS-it, auditimi i IFC-së për shkelje të standardeve të punës, si dhe opsioni i gabuar i privatizimit të KEDS-it janë arsye të mjaftueshme që Kuvendi i Kosovës të marrë vendim për ndërprerjen e privatizimit të KEDS-it”, vazhdon komunikata.
Edhe sot, KOSID ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të formoj një grup parlamentar për të hetuar procesin e privatizimit të KEDS-it, në mënyrë që shkeljet në këtë proces të dokumentohen brenda institucionit që përfaqëson interesin e qytetarëve. /Telegrafi/