Kosova edhe sivjet jashtë BERZH-it?
Kosova nuk pritet që të anëtarësohet sivjet në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ashtu siç ishte premtuar. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kishte premtuar se një gjë e tillë do të bëhet gjatë muajit mars.“Gjatë muajit mars, ne do të aplikojmë si Republikë e Kosovës, dhe do të respektojmë procedurat e rregullta që të bëhemi anëtarë të barabartë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, pati thënë kryeministri Thaçi në mbledhjen e Qeverisë në muajin shkurt.
Menderes Ibra, këshilltarë në Ministrinë e Financave, tha për ORAinfo.com, se ende nuk kanë aplikuar për anëtarësim në këtë institucion financiar. “Kosova ende nuk ka aplikuar në BERZH, meqenëse çështja e anëtarësimit të Kosovës në BERZH është një proces që është duke vazhduar dhe në momentin që plotësohen edhe disa kushte, Kosova aplikon”, është shprehur ai.
Sipas tij, kanë mbet që të përmbushen edhe disa kritere teknike. “Ajo është një pjesë teknike mirëpo, ne normalisht do të ju njoftojmë, por është një proces që është duke ecur përpara dhe me sukses. Ne shpresojmë që këtë vit do të aplikojmë edhe pse aty janë disa faktor që ndikojnë, por ne shpresojmë që këtë vit do të aplikojmë”, theksoi Ibra. /Telegrafi/