Kosova eksportoi dredhëzat e para në Shqipëri
Një ton dredhëza nga Kosova janë eksportuar në Shqipëri, duke shënuar kështu eksportin e parë të kësaj kulture. Nga viti i kaluar sivjet janë shtuar 15 hektarë të sipërfaqeve të mbjella me dredhëza, ndërsa çmimi i dredhëzave në treg, për Ministrinë e Bujqësisë, është adekuat.Këto detaje janë bërë të ditura të martën, në hapjen e panairit të dredhëzës “Dredhëza 2012”, në Prishtinë, ku po marrin pjesë rreth 20 kultivues nga zona të ndryshme të Kosovës.
Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, bëri të ditur lajmin për eksportimin e dredhëzave në Shqipëri, teksa po shijonte dredhëzat vendore në qendër të kryeqytetit.
“Një pjesë e tyre ka eksportuar një ton në Shqipëri, pra ne për herë të parë me një kulturë e përmbushim kërkesën vendore dhe në të njëjtën kohë kemi edhe kapacitete eksportuese”, ka thënë ai.
Por, sipas Stavilecit, Kosova plotëson kushtet që të eksportojë dredhëza edhe më larg se vendet e rajonit. Ndërsa, për çmimin e dredhëzave ai tha se janë adekuate.
“Problematika e çmimeve, jo vetëm tek dredhëza, por edhe tek të tjera, duhet shikuar në shumë aspekte. Nëse çmimet do të ishin më të ulëta, atëherë do t’i kishim prodhuesit më të pakënaqur, nëse çmimet do të ishin më të larta atëherë janë të tjerët që janë të pakënaqur. Në ekonominë e tregut të lirë, është shumë e vështirë të sillen në një linjë, edhe prodhuesi, edhe përpunuesi, edhe konsumatori. Megjithatë, duke u bazuar në kërkesën e madhe që ekziston, por edhe në karakteristikat e tjera të cilësisë së tyre dhe shijes, unë besoj se çmimi është adekuat”, ka thënë ai.
Panairi do të jetë i hapur deri më 15 qershor dhe të gjithë kultivuesit e dredhëzës do të ofrojnë frutat e tyre të paketuara me etiketa të fushatës “Për sofrën tonë”.
Panairi organizohet nga MBPZHR-ja, USAID-i amerikan dhe IADK-ja dhe qëllimi i tij është promovimi i dredhëzës vendore përmes shitjes së drejtpërdrejtë në sheshin “Nëna Terezë”./Telegrafi/