Kosova në BE vetëm me nivel të çmimeve
Reklamime nëpër dritaret e dyqaneve për veshmbathje për ulje sezonale të çmimeve në nivel prej 30 madje deri në 70 për qind nuk e tregojnë trendin e vërtetë të lëvizjes së kostos së jetës në Kosovë. Për dallim nga çmimet për veshmbathje, çmimet e artikujve ushqimorë, si: buka, vaji, sheqeri, nafta e energjia elektrike janë shtrenjtuar gjatë këtij viti.Madje çmimet e disa artikujve ushqimorë janë në një nivel apo më të shtrenjta se në Gjermani, vendin më të zhvilluar në Evropë.
Niveli i këtyre çmimeve është më shqetësues kur dimë që paga mesatare në Kosovë është rreth 300 euro, kurse në vendet më të zhvilluara në Evropë ajo është rreth 2.000 euro. Përveç pagës së ulët mesatare, Kosova ka nivelin më të lartë të papunësisë në Evropë.
Për nivelin e papunësisë mungojnë të dhënat zyrtare, mirëpo Banka Botërore në vitin 2009 kishte publikuar të dhëna që niveli i papunësisë varion rreth 37 për qind, shkruan Koha Ditore.
Po ashtu, sipas raportit të Bankës Botërore: “Varfëria në konsum në Republikën e Kosovës, në vitin 2009”, tregon se gjatë 2009-ës, rreth 34 për qind e popullsisë në Kosovë ka jetuar në varfëri absolute, me 1.5 euro në ditë, kurse 12 për qind në varfëri të skajshme me vetëm 1 euro në ditë. /Telegrafi/