Kosova pa këshill kombëtar për siguri në punë
Kosova ende nuk ka Këshill Kombëtar për siguri në punë dhe mbrojtje të shëndetit të të punësuarve. Me ligjin për siguri në punë, të miratuar qysh në vitin 2003, qeveria ka qenë e obliguar të themelojë këtë këshill, por kjo nuk është bërë. Madje duket se kjo çështje është lënë tërësisht në harresë edhe nga sindikalistët. Të punësuarit në Kosovë, në shumë raste, vazhdojnë të mos kenë siguri në vendet e tyre të punës. Me Ligjin për siguri në punë, të miratuar para nëntë vjetësh, qeveria ka qenë e obliguar të krijojë Këshillin Kombëtar për siguri në punë, i cili do të hartonte politikat përkatëse, por kjo nuk është bërë. Mungesa e këtij këshilli është reflektuar negativisht tek punëtorët, thonë njohës të këtij lëmi.
Eksperti për emergjenca dhe siguri në punë, Nevahir Hazeri, thotë se mosthemelimi i këtij këshilli ka ndikuar që trysnia ndaj organeve përgjegjëse, ministrive dhe Inspektorateve ekzekutive të jetë më e vogël, dhe angazhimi i tyre më i mangët. “Kjo gjendje ka rezultuar edhe me vazhdimin konstant të mospasjes së kushteve të sigurta në pune, pajisje mbrojtëse personale, ambient të pastër dhe të shëndetshëm dhe trajtim të duhur shëndetësor. Këto mangësi për punonjësin sjellin edhe punë me stres, me frikë, me mundime fizike e që të gjitha së bashku ndikojnë në uljen e efikasitetit, cilësisë se punës, por edhe rritjen e shpenzimeve për trajtim mjekësor dhe rehabilitues të punëtorëve”, tha Hazeri për Radio Kosovën.
As sindikalistët që angazhohen për të drejtat e punëtorëve, nuk janë interesuar fare për të. Madje duket se nuk janë as në dijeni se për çfarë këshilli bëhet fjalë. Megjithëkëtë, kryetari i Bashkimit të sindikatave të pavarura, Haxhi Arifi, thotë se formimi i tij do të ndikonte në avancimin e sigurisë në punë. “Do të ishte një mekanizëm që do të kontribuonte në të ardhmen, sepse deri tani kemi pasur pak përparime dhe në atë drejtim duhet të punohet më shumë që mbrojtja dhe siguria në punë të jetë në nivel më të lartë se deri tani sepse ka shkelje të llojllojshme në vendet e punës”, tha Arifi.
Kryeinspektori i Inspektoratit të punës, Basri Ibrahimi, thotë se ky këshill do të themelohet pas miratimit të ndryshim-plotësimeve të Ligjit për Siguri në Punë, që pritet të miratohet gjatë këtij viti. “Është i domosdoshëm që të themelohet ky këshill sepse ai i bën politikat e Kosovës për siguri në punë dhe shëndetin e punëtorëve dhe ne konsiderojmë se është një prej mekanizmave shumë të nevojshëm për të krijuar një ambient më të mirë dhe një siguri më të mirë të punëtorëve nëpër vendet e tyre të punës”, theksoi Ibrahimi.
Në këshill do të bëjnë pjesë ekspertë, zyrtarë të ministrisë së punës, përfaqësues të sindikatave dhe asociacioneve të biznesit, të cilët i hartojnë politikat për sigurinë në punë. Përderisa ligji për siguri në punë parashihet të dorëzohet në qeveri në pjesën e dytë të vitit, themelimi i këshillit nuk pritet të bëhet para vitit 2013.
Ndërkohë, Inspektorati i punës gjatë inspektimeve të bëra vitin e kaluar, ka evidencuar shkelje serioze të sigurisë në punë sidomos te kompanitë e mëdha si “Ferronikeli”, “Sharrcemi” dhe “Ballkani” i Suharekës, të cilave u ka drejtuar raporte me vërejtje dhe rekomandime. Por ende nuk ka informacione nëse ato kompani i kanë mbushur ato. /Telegrafi/