Kosovarët, 200 milionë euro për cigare, kafe dhe alkool

12:40 / 13.02.2013

Kosovarët nuk e “prishin as tymin e duhanit” për shpenzimet e mëdha që bëjnë për mallrat e luksit, pavarësisht shkallës së lartë të varfërisë dhe papunësisë në vend. Për cigare, kafe dhe alkool brenda vitit shpenzohen 200 milionë euro në vit. Kjo bëhet e ditur sipas statistikave të importit të Doganave të Kosovës të këtyre “mallrave të forta”.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2012 janë importuar mbi 3.2 milionë kilogram cigare, baza doganore e të cilave ka qenë rreth 60 milionë euro.

Ndërsa për këtë import janë paguar taksa në kufi në vlerë prej 116.6 milionë euro, përkatësisht 86.7 milionë euro janë grumbulluar nga akciza në cigare, 24 milionë euro nga Tatimi në Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe 5.6 milionë euro nga dogana.

Po ashtu gjatë vitit që lamë pas janë importuar 79 mijë litra alkool të llojeve të ndryshme, baza doganore e së cilës ka qenë 1.7 milionë euro, ndërsa 927 mijë euro janë grumbulluar nga Doganat në emër të taksave.

Nga akciza në alkool janë grumbulluar 548 mijë euro, 332 mijë euro nga TVSH dhe 47 mijë euro nga dogana.

Import jo i vogël realizohet edhe me kafe. Kafe të pjekur dhe të papjekur brenda vitit importohet rreth 7.3 milionë kilogramë, baza doganore e të cilave arrin në 17.7 milionë euro, ndërsa në emër të taksave për këtë mall janë grumbulluar 4.8 milionë euro.

Për dallim nga mallrat tjera, cigareve dhe alkoolit, për importin e kafesë nuk paguhet akciza, ndërsa në emër të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar janë grumbulluar mbi 3 milionë euro dhe rreth 1.7 milionë euro nga tatimi i doganës.

Shpenzimi prej 200 milionë eurove në vit për cigare, kafe dhe alkool, sipas Ibrahim Rexhepit, njohës i çështjeve ekonomike, është një shifër shumë e lartë, kur merret parasysh shkalla e lartë e varfërisë dhe e papunësisë në vend.

Mirëpo, sipas tij, kjo tregon për fuqinë blerëse të kosovarëve, përkatësisht të një kategorie të popullatës që qëndron më mirë financiarisht. “Një kategori jo e vogël e kosovarëve jeton në luks dhe kjo tregon fuqinë blerëse të tyre”, pohon Rexhepi.

Sipas tij, bazuar në statistikat zyrtare 1/3 e kosovarëve janë duhanpirës aktivë, ku konsumi i cigareve për kokë banori është 2687 cigare në vit për një të rritur, e cila është shumë më e lartë se në disa vende tjera. “Ta zëmë në Turqi konsumi vjetor i cigareve për kokë banori sillet rreth 1200, shumë më i ulët se në Kosovë”, shprehet ai.

Me import të lartë të cigareve karakterizohet edhe Shqipëria. Statistikat tregojnë se aktualisht në Shqipëri numërohen rreth 900 mijë konsumatorë të cigareve, të cilët gjatë një viti llogaritet se pinë mbi 6 mijë tonë duhan. /Zëri/Telegrafi/

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.