Kosovën se ka prekur kriza
Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, ka vlerësuar të premten se gjendja ekonomike në Kosovë është e mirë dhe deri më tani nuk është afektuar nga kriza financiare që kanë pësuar vendet e rajonit dhe të botës.
Në një konferencë të organizuar për rrjedhat ekonomike përballë krizës globale, ai tha se Qeveria e Kosovës është duke vrojtuar vazhdimisht mundësi që kjo krizë mos të prekë vendin.“Kosova nuk është në krizë, nuk është afër krizës, ka përparime, ka trend pozitiv, por sigurisht se ka segmente ku ne duhet të koncentrohemi dhe të punojmë shumë më shumë për ndërrimin e gjendjes aktuale në të cilën ndodhemi” , theksoi ministri Hamza.
Ndërsa ekspertët e ekonomisë kërkuan që fondet që janë të investuar në tregjet ndërkombëtare, siç është fondi i privatizimit dhe parat e Trustit, të kthehen në Kosovë, që të mos preken nga problemet financiare në botë.
Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, tha se Kosova është e ndikuar nga kriza botërore.“Është mëse e vërtetë, evidente dhe të gjithë e dimë se Kosova ka hyrë në krizë. Dhe në këtë drejtim është e tepërt të debatohet se Kosova nuk ka krizë dhe nuk është e prekur nga kriza”, tha Gërxhaliu.
Kurse, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike Stras, Ibrahim Rexhepi, rekomandoi që investimet e jashtme të orientohen drejt vendeve me rritje të madhe ekonomike, të cilën nuk e posedojnë vendet e OECD-së, pastaj rekomandoi ofrim të alternativave për financimin e bizneseve, që bankat të ofrojnë mundësi tjera të financimit. /Telegrafi/