Kosovës B” i zgjatet jeta deri në vitin 2040, me investime private
Brenda muajit gusht pritet të qartësohen hapat që Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë rreth rehabilitimit të termocentralit “Kosova B” dhe mënyrën e përfshirjes së sektorit privat në termocentralin ‘Kosova B’. Anëtarët e Komiteti Drejtues pritet të njihen me opsionet për rehabilitimin e këtij termocentrali që këshilltarët e transaksionit do t’i prezantojnë në mbledhjen e radhës që të mbahet brenda muajit gusht.
Në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës rivitalizimi i këtij termocentrali nuk do të bëhet me mjetet nga buxheti i Kosovës, por duke e futur kapitalin privat në këtë termocentral.
Komiteti Drejtues i projektit është obliguar nga Qeveria e Kosovës që të analizojë dhe të paraqesë opsionin më të mirë për përfshirjen e sektorit privat në termocentralin “Kosova B” me qëllim të përmbushjes së obligimeve të cilat dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.
Edhe pse nuk janë bërë të ditur opsionet që janë duke u diskutuar, përfshirja e kapitalit privat do të bëhet duke u bazuar në Ligjin për partneritetin publiko-privat. “Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) ka kërkuar nga këshilltarët e projektit të analizojnë opsionet për përfshirjen e sektorit privat në termocentralin “Kosova B”, duke u bazuar në spektrin e mundësive që ofron kuadri ligjor në Republikën e Kosovës”, ka thënë Lorik Haxhiu, menaxher i projektit “Kosova e Re”, shkruan Koha Ditore.
Menaxheri i projektit “Kosova e Re”, Haxhiu, nuk ka dashur të tregojë për opsionet dhe mënyrën e përfshirjes së kapitalit privat në këtë termocentral, duke përfshirë nivelin e hises së shtetit. “Opsionet do të paraqiten në takimin e radhës të Komitetit Drejtues të Projektit, i cili planifikohet të mbahet gjatë muajit gusht. Nga ky takim pritet të qartësohen hapat e mëtutjeshëm lidhur me ecurinë, kushtet dhe procesin e përfshirjes së sektorit privat në termocentralin ‘Kosova B’”, ka thënë Haxhiu. /Telegrafi/