Kusari – Lila: Më shumë vëmendje për prodhuesit vendorë

16:48 / 17.01.2013

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila, duke e konsideruar sektorin privat gjeneratorin kryesor të punësimit, vizitoi sot dy fabrika në Suharekë: fabrikën e prodhimit të këpucëve “Solid” dhe atë të prodhimit të gomave të integruara “New Co Ballkani”.

Në vizitën e saj të parë, ministrja Kusari - Lila u njoftua nga Bordi drejtues i ndërmarrjes Solid, me procesin, inovacionet dhe sfidat e kësaj fabrike. Sipas drejtorit, Shpëtim Kuçi sfidë mbetet tregu jo i drejtë. Lidhur me këtë ministrja Kusari - Lila tha se janw duke punuar me Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik që prodhuesve vendorë, në garë për projektet e ndryshme për tenderët publikë, t’ju japin përparësi. “Do të bëjmë maksimumin që kjo të kryhet në një periudhë sa më të shkurtër kohore. Dëshiroj dhe uroj që modele të tilla të zhvillimit të ndërmarrjeve të kemi edhe në komuna tjera të Kosovës”, theksoi ministrja Kusari-Lila
Ndërsa, drejtori i ndërmarrjes “Solid”, tha se konkurrenca e padrejtë në tregun e Kosovës dhe ngarkesa për tatim në lëndën e parë janë sfidë për ta dhe se nuk do të dekurajohen, por do ta mbajnë kualitetin e deritanishëm.
Fabrika e këpucëve ‘Solid’ është një ndër ndërmarrjet më të mëdha në Kosovë në këtë lëmi, me mbi 70 punëtorë, dhe me një kapacitet pune prej 300-600 palë këpucë në ditë, e bënë këtë fabrikë një gjigant të prodhimit dhe distribuimit të këpucëve në Kosovë dhe jashtë saj.

Më tutje, ministrja Kusari – Lila vizitoi fabrikën e industrisë së gomave të integruara “Newco Balkani”. "Më gëzon fakti që 90 për qind e prodhimit tuaj eksportohet në shumë vende të botës. Ballkani është histori suksesi i privatizimit në Kosovë", theksoi ajo duke treguar se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me këtë ndërmarrje, posaçërisht gjatë pengesave që kanë pasur për eksport në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë për çështje politike. "Ne përmes vizitave kuptojmë nevojat dhe sfidat e tyre dhe kjo na ndihmon të bëjmë politika favorizuese për biznese", përfundoi ajo.

Drejtori i “NewCo Ballkani”, Muhamet Shala tha se kjo është ndër vizitat e rralla që i është bërë nga krerët e qeverisë, të cilën nuk e ka vizituar që nga privatizimi në vitin 2005. Si sfidë, sipas drejtorit Shala, mbetet rikthimi i TVSH-së duke marrë parasysh që 90 për qind të prodhimit e eksportojnë.

Ndërmarrja “Newco Ballkani” 60 për qind të prodhimit e eksporton në vendet e BE-së, ndërsa prodhimet e tyre gjenden edhe në Jordani dhe së shpejti edhe në Siri. “Newco Ballkani” përbëhet prej 6 njësive të prodhimit: rripa transportues, pëlhura rripa transportieri, pjesë teknike gome, gome e përzierë, V-rripa, dhe çizme të gomës dhe këpucë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e konsideron sektorin privat prioritet. Kjo është vizita e parë e ministres për këtë vit, vizita të tilla do të ketë gjatë tërë vitit, duke qenë gjithnjë në krah të biznesit. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.