Kusari-Lila: Kemi arritur qarkullim të lirë të mallrave
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila konfirmon se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po zhvillohen normalisht, konform marrëveshjes që është arritur në Bruksel.Në një intervistë për Deutsche Welle-n ministrja Kusari Lila, shprehet se me marrëveshjet e arritura në Bruksel, Kosova ka marrë përsipër detyrime ndërkombëtare dhe çdo veprim ndryshe kundrejt Serbisë, do të ishte kundër parimeve të Bashkimit Evropian për liri të tregut.
“Të gjitha qëllimet tona, që nga momenti kur kemi vendosur masën e reciprocitetit më 20 korrik, janë arritur në këtë periudhë, sepse kemi qarkullim të lirë të mallrave, është arritur pranimi i vulave doganore të Kosovës, si me Bosnjen-Hercegovinën, si me Serbinë. Pra është arritur që ata prodhues që dëshirojnë të transportojnë mallra përmes Serbisë në vendet e Bashkimit Evropian, ta bëjnë një gjë të tillë dhe mund të themi se për herë të para pas shpalljes së pavarësisë Kosova ka raporte të normalizuara me të gjitha vendet e rajonit dhe me Bashkimin Evropian”, ka thënë Kusari-Lila, duke shtuar se kjo është shumë e rëndësishme për sektorin e prodhimit.
Ajo kujtoi se nëse shikohet periudha para 20 korrikut të vitit 2011, ne kemi një rritje prej 70 për qind të eksportit për në Serbi.
Ndërkaq, aksionet e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e mallrave nga Serbia, se kinse Serbia po përfiton nga Kosova, ajo i ka quajtur “mit”. “Është krijuar një mit që Serbia vazhdimisht po përfiton nga Kosova dhe çdo gjë që po punohet në këtë drejtim është vetëm në favor të Serbisë. Kjo nuk është e vërtetë, sepse në aspektin kuantitativ ka një rënie të importit nga Serbia. Sot kontrollohen pikat 1 dhe 31 në veri të Kosovës, që do të thotë se nuk ka trafikim dhe kontrabandim të mallrave të asaj natyre si para intervenimit të njësisë speciale të Kosovës në veri. Pra, në vlerë totale, sa mallra eksporton Serbia në Kosovë, mund të themi se kemi një rënie të eksporteve të Serbisë në Kosovë dhe një rritje të eksportit të mallrave kosovare në Serbi”, ka theksuar ministrja Kusari-Lila.
Ajo ka pranuar se në pikat kufitare 1 dhe 31 mund të ketë kontrabandë, por, sipas saj, është në masë shumë të vogël. “Për arsye se vetëm nëse shikohet situata në rrugët në Veri të Kosovës, mund të dihet se maunet që janë futur më herët, sot nuk mund të hyjnë, sepse janë barrikadat në rrugë dhe rrugët anësorë nuk mund të ofrojnë një cilësi të njëjtë, ashtu si ka qenë më herët ku nuk ka pasur barrikada dhe ku nuk ka pasur kontroll në pikat 1 dhe 31”, ka thënë Kusari-Lila, duke shtuar se sot në Veri ka qarkullim të njerëzve që jetojnë në atë pjesë, por është vështirësuar qarkullimi i përgjithshëm i njerëzve nga komunat e tjera për në veri.
Ajo tha se Kosova ka fituar. “Ne kemi mundësuar lëvizjen e lirë të mallrave kosovare në të gjitha vendet e rajonit dhe në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila. /Telegrafi/