ekonomi:Lajme
Postuar më: 12 December 2012 / 14:51

Biznesi në Kosovë: Kthimi i heronjve amerikanë

Biznesi në Kosovë: Kthimi i heronjve amerikanë
0

Një ofertë është bërë nga një fond i themeluar nga ish-Sekretari i Shtetit Madeleine K. Albright. Lobimi tjetër bëhet nga James W. Perdew, përfaqësuesi special për Ballkanin i epokës së Clintonit. Të dy ish diplomatët janë në mesin e amerikanëve të cilët e mbajnë statusin e heronjve këtu, për rolet e tyre në ndërhyrjen e vitit 1999, që ka ndarë Kosovën nga Serbia dhe që krijoi një nga shtetet më të reja në botë.

Në një takim me z. Pardew në tetor, kryeministri e sqaroi pozicionin e "vështirë" të tij në përcaktimin në mes të dy blerësve – thotë një kabllogram që rrodhi në gazetën “Zëri” – “sepse cilido prej dy ofertuesve që fiton, ai do të shihet nga dy milionë njerëzit e tij se ka tradhtuar tjetrin”.

Shumë ish-zyrtarë amerikanë janë kthyer në Kosovë për biznes – në qymyr dhe telekomunikacion, ose për lobim për kontratat tjera fitimprurëse qeveritare – sa që është vështirë për t’i mbajtur ata larg nga ballafaqimi.

Këtu përfshihet edhe Wesley K. Clark, një gjeneral i pensionuar, ish-komandant i forcave të NATO-s për Evropë, që udhëhoqi fushatën e bombardimeve kundër Slobodan Milosevicit; si dhe Mark Tavlarides, i cili ishte drejtor legjislativ i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, në kohën e Clintonit.

Departamenti i Shtetit nuk ka politikë që ndalon ish diplomatët nga lobimi në emër të kombeve ku ata kanë shërbyen ose kthimin atje për përfitim, pos rregullit që zbatohet për shërbyesi federal në tërësi, e që ndalon zyrtarët e lartë për të kontaktuar agjencitë ku ata kanë punuar dhe ndalimi i përjetshëm i të punësuarve federalë për të këshilluar për çështjet e njëjta.

Kosova nuk është vendi i vetëm ku ish-zyrtarët janë kthyer për të bërë biznes – Iraku është një shembull tjetër – por, ajo paraqet një rast ekstrem, dhe ndoshta një gjendje të vështirë e të veçantë etike, duke pasur parasysh ndikimin enorm amerikan këtu. Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, mund të jetë i vetmi qytet në botë ku rruga “Bob Dole” kryqëzon bulevardin “Bill Clinton”.

Ekspertët e politikës së jashtme thonë se praktika e ish-zyrtarëve që të kthehen për biznes është më e zakonshme sesa pranohet publikisht. Privatisht, ish zyrtarë pranojnë mundësinë e konfliktit të interesave dhe madje edhe potencialin për të ndikuar në politikën e jashtme amerikane, pasi diplomatët – të cilët tradicionalisht kanë bërë karrierën në shërbimin publik – tani i kthehen shpesh punëve fitimprurëse në sektorin privat.

Të pyetur për koment, ish zyrtarët e përfshirë në këtë thonë se nga marrëdhëniet e tyre të biznesit me qeverinë e Kosovës do të përfitojnë kosovarët duke ndërtuar një ekonomi më të begatë.

"Ne po shkojmë për të punësuar njerëz, të ofrojë trajnime, të krijojmë eksporte, për të ndihmuar vendin që të rritet dhe të zhvillohet si një demokraci", tha gjenerali Clark, i cili është kryetar i “Envidity”, një kompani kanadeze e energjisë që kërkon të eksplorojë depozitat e linjitit dhe qymyrit në Kosovë, për të prodhuar karburante sintetike.

Lawrence Lessig, një profesor i drejtësisë dhe drejtor i Qendrës J. Edmond Safra për Etikë në Harvard, tha se dukuria e "arkëtimit " rrezikon minimin e prestigjit të Shteteve të Bashkuara, duke turbulluar natyrën humanitare të ndërhyrjes më 1999, që synonte dhënien fund të mizorive serbe kundër kosovarëve.

Pas ndarjes, Kosova ishte një protektorat ndërkombëtar i drejtuar nga mijëra zyrtarë nga vendet e tjera, Kombet e Bashkuara që shërbenin si qeveri përfaqësuese, si dhe nga kontraktorët privatë. Katër vite të "pavarësisë së mbikëqyrur" ndërkombëtare përfunduan në shtator. Rreth 6.000 paqeruajtës mbesin ende aty.

Ngushtimi i lidhjeve mes shtetëndërtuesve dhe shtetit që ata ndërtojnë e ka bërë të lehtë për zyrtarët ndryshimin e roleve. Edhe pse vendi është një prej më të varfërve të Evropës, aty ka ende potenciale për përfitime, sidomos kur Qeveria privatizon asetet kritike.

“Albright Capital Management”, e themeluar nga znj. Albright, ka qenë në listën e ngushtë për 75 për qind të aksioneve në kompaninë shtetërore të telekomunikacionit, PTK-së. Shitja e kompanisë pritet të sjellë 400-800 milionë dollarë.

Drejtuesit e lartë të një kompani simotër, “Albright Stonebridge Group”, tashmë janë aksionarë të vegjël në konkurrentin e vetëm të PTK-së, kompanisë private IPKO, gjë që ngritë brenga për kërcënimin e tregut të konkurrencës nëse konsorciumi Albright fiton ofertën.

Z. Pardew, ish i dërguari amerikan, ka lobuar tek zyrtarët kryesor të Kosovës në emër të konsorciumit konkurrues, “Twelve Hornbeams S.a.r.l /Avicenna Capital LLC”.

Kabllogrami i takimit të kryeministrit me z. Pardew, brenda konsorciumit u zbulua nga dikush që ishte i pakënaqur me drejtimin e procesit të tenderit. Zgjedhja e z. Pardew si misionar i tyre kishte “rëndësi jetike”, thekson kabllogrami, pasi elita e Kosovës "e njeh dhe e do për rolin e tij në terren gjatë luftës".

Pasi dokumenti u bë publik, z. Pardew u tërhoq nga lobimi për konsorciumin, dhe ai nuk pranoi të komentonte gjë. Është e mundur që asnjëri nga ofertuesit e mbështetur nga amerikanët nuk do të fitojë tenderin, gjë për të cilën pritet të vendoset në janar.

Zonja Albright iu përgjigj kërkesës për intervistë me një deklaratë. Duke përmendur kufizimet gjatë procesit të tenderimit, deklarata nga Nelson Oliveira, drejtor dhe këshilltar i përgjithshëm i “Albright Capital Management”, thotë në një pjesë: “Ne i kemi marrë seriozisht të gjitha detyrimet tona – ligjore dhe etike, në këtë dhe në të gjitha investimet e tjera të mundshme”.

"Ne besojmë se privatizimi transparent, i menaxhuar mirë, i kompanisë shtetërore të telekomunikacionit duhet të sjellë përfitime të konsiderueshme për ekonominë dhe popullin e Kosovës”, shton deklarata.

Qeveria e Kosovës ka mohuar se ndonjë nga diplomatët mori trajtim të veçantë.

"Unë shpresoj se ata do të bëjnë para në Kosovë dhe se Kosova do të bëjë para nga investimet e tyre,”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi. "Qeveria e Kosovës nuk do të zgjedhë një kompani vetëm se ajo është amerikane".

Telekomunikacioni në Kosovë mund të jetë një biznes i vështirë. Më vitin 2007, njerëz të armatosur u përpoqën – së pari me armë zjarri, e pastaj me një sulm me mortaja në makinën e tij – për të vrarë Anton Berishën, kreun e agjencisë rregullatore të telekomunikacioneve. Ai i mbijetoi të dy tentimeve që ndodhën jo shumë kohë pasi ai e dha licencën e dytë për celularë tek kompania sllovene IPKO. Një vit më vonë ai u bë ambasador në Slloveni.

Në vitin 2004, Albright u bë këshilltare speciale e kryetarit të bordit të IPKO-s, Akan Ismaili, i cili tani është ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja telekomunikacionit është vetëm një nga shumë të tjerat tek të cilat kanë anuar amerikanët. Projekti më i madh infrastrukturës në ish-Jugosllavi, një shtrirje prej 63 miljeve e autostradës që lidh Prishtinën me kufirin shqiptar, iu dha në vitin 2010 kompanisë “Bechtel” nga San Francisko – në një ndërmarrje e përbashkët me një kompani turke, “Enka”.

Në atë kohë, kryeministri e ka vlerësuar marrëveshjen në një miliard dollarë.

“Bechtel” kishte ndihmë në marrjen e kontratës nga z. Tavlarides, drejtor legjislativ në Këshillin Kombëtar të Sigurisë gjatë ndërhyrjes në Kosovë më 1999. Sipas një raporti lobues të plotësuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Tavlarides ka lobuar në emër të “Bechtel” për “çështjet që ndërlidhen me autostradën”, derisa ai ka punuar për “Van Associates Scoyoc”, një firmë lobuese me bazë në Washington.

Z. Tavlarides tani punon tek “Podesta Associates”, i cili nënshkroi një kontratë mujore prej 50 mijë dollarëve me Qeverinë e Kosovës më 1 janar, duke i këshilluar ata në komunikimet dhe forcimin e lidhjeve të Kosovës me qeverinë e Shteteve të Bashkuara. “Podesta Associates” ishte bashkë-themeluar nga John Podesta, shefi i personelit në Shtëpisë e Bardhë gjatë mandatit të dytë të z. Clinton. Z. Podesta e la firmën në vitin 1993. Ajo tashti është në pronësi të vëllait të tij, Anthony.

Z. Tavlarides nuk pranoi të komentonte, duke cituar politikën e firmës së tij që të mos flas me mediat për klientët.

Nga ana e tij, gjenerali Clark tha se ishte "fyese" për të menduar se mund të ketë ndonjë konflikt mes profitit privat dhe përgjegjësive të tij të kaluara. "Biznesi im është pa dinakëri, transparent dhe i ndihmon popullit të Kosovës”, tha ai. "Ne do të përdorim një burim që nuk kishte asnjë vlerë për popullin e Kosovës dhe për të sjellë qindra miliona dollarë të investimeve".

Sipas Pentagonit, oficerët ushtarakë të SHBA-ve kanë një vit të ndalimit pas në pension për të kontaktuar ish shërbimin e tyre për çështje zyrtare, dhe një ndalim jetësor në lidhje me çështjet për të cilat ata punonin.

Grupet monitoruese kanë ngritur mundësinë që Qeveria e Kosovës mund ta shoh biznesin me ish zyrtarët amerikanë si një kanal me administratën aktuale të Shteteve të Bashkuara. Ata gjithashtu frikësohen se ndikimi i ish-zyrtarëve zvogëlon konkurrencën dhe lëndon konsumatorët.

Shfaqja e një favorizimi të disa kompanive ka dekurajuar konkurrentët “sepse ata e dinë se loja është përcaktuar", thotë Avni Zogiani, një gazetar kosovar i cili kryeson një organizatë antikorrupsioni në Prishtinë, “Çohu”, e që ka hetuar lidhjet midis biznesit të telekomunikacionit, krimit dhe politikës. "Nuk ka asnjë interes për të investuar më në Kosovë nga kompanitë me reputacion”.

Edhe disa ish-zyrtarë e shprehin sikletin në shtrirjen ndërveprimit në mes të ujdive dhe diplomacisë.

Steven P. Schook, një brigadier në pension i Shteteve të Bashkuara dhe ish shef i shtabit të KFOR-it, forcë e NATO-s në Kosovë, tha se ai kishte "ndjenja të përziera" në lidhje me këtë.

Z. Schook, i cili gjithashtu ka shërbyer si zëvendës i kreut të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, është kthyer si një konsulent privat për kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili ishte liruar muajin e kaluar nga gjykata e krimeve të luftës në Hagë. Ai thotë se punon për z. Haradinaj për shkak të një besimi në udhëheqjen e tij dhe se kompensimi i tij i vetëm janë shpenzimet e tij që jeton në Kosovë, rreth 2.600 dollarë në muaj.

"Ka shumë ish diplomatë që vijnë e shkojnë dhe që tash përfaqësojnë interesat e tyre private”, tha ai. "Nëse unë jam një korporatë e madhe dhe unë dua të jem konkurrues, unë dua të punoj me njerëzit që më ndihmojnë për ta bërë këtë”.

"Por, nga ana tjetër, duket pak vulgare”, shtoi z. Schook. "Një minutë ju jeni duke çliruar një vend, dhe në minutën tjetër ju jeni duke u përpjekur për të marrë një tender të energjisë". /Telegrafi/
(Titulli është i modifikuar nga origjinali, nga redaksia e Telegrafit)

 

0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka