ekonomi:Lajme
Postuar më: 13 Dhjetor 2012 / 09:34

Bllokohet misri i Serbisë

Bllokohet misri i Serbisë
0

E ndalën porsa u mor vesh se misri i prodhuar në Serbi është i kontaminuar. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë (AUVK), ka marrë vendim ta ndalojë importin e të gjitha produkteve të misrit nga ky shtet fqinj.

Ky produkt vlerësohet si i rrezikshëm nga kjo agjenci dhe derisa të dëshmohet me analiza se nuk është i kontaminuar, nuk do të lejohet të shitet në treg.

Helmimi i misrit thuhet se ka ardhur nga një lloj i kërpudhave të familjes Aspergillus, dhe analizat e detajuara për ta konstatuar atë sipas zyrtarëve të AUV nuk mund të bëhen në laboratorët e Kosovës.

“Duke e pasur parasysh se në Kosovë nuk ka laborator për konstatimin e këtij helmi. Deri në marrjen e rezultateve të plota të gjithë parametrave këto produkte do të qëndrojnë nën masën e ndalesës për shitje në treg të brendshëm”, tregon Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari i vitit 2012 e deri më 11 dhjetor në Kosovë nga ky vend janë importuar 760 milionë kilogramë drithëra. Prej tyre 581 milionë kilogramë janë grurë ndërsa 172 milionë kilogramë misër.

Se bereqeti i sivjetmë i misrit në Serbi është i kontaminuar, e para ka reaguar organizata për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë, “Konsumatori”. /Express/Telegrafi/



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka