ekonomi:Lajme
Postuar më: 18 August 2013 / 09:56

CEFTA bllokon prodhuesit vendorë

CEFTA bllokon prodhuesit vendorë
0

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se efektet e CEFTA-s po vërehen, por për fat të keq, thotë ai, efektet janë të dëmshme.

Efektet e CEFTA-s, thotë ai, nuk kanë arritur në pikën që është menduar dhe është pranuar si koncept i zgjerimit dhe lirimit të tregut nga barrierat e ndryshme.

“Kur e them këtë, e kam parasysh faktin se Kosova më tepër është shfrytëzuar si një treg i mundshëm për vendet anëtare të CEFTA-s, sesa ajo që ka pasur mundësi që të nxisë prodhimin e vet dhe të ketë një bilanc shumë më të mirë tregtar me vendet e këtij mekanizimi”.

“Kjo del shumë e qartë, po e zëmë vitin e kaluar, deficiti tregtar me vendet e CEFTA-s ka qenë afër 330 milionë euro. Ndërsa, për ilustrim po përmendi se importi i Kosovës me vendet e CEFTA-s, ka qenë vetëm 49 milionë euro. Do të thotë, problemi nuk qëndron aq shumë te vendet anëtare të CEFTA-s. Ato nuk janë fajtore për nivelin, në të cilin është Kosova”, shprehet Rexhepi.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, për Radion Evropa e Lirë, thekson se CEFTA qe disa vjet, ka shkaktuar vështirësi në konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë.

Por, ai konsideron se para se të rishqyrtohen efektet e CEFTA-s, autoritetet kompetente duhet të shikojnë se me çfarë politikash mund të ndihmohen prodhuesit vendorë, që t’i tejkalojnë pengesat që janë shkaktuar me rastin e nënshkrimit të këtij mekanizmi, se sa të vihet në pikëpyetje marrëveshja me CEFTA-n.

“Për shkak të arsyeve të ndryshme, marrëveshja e CEFTA-s është një realitet, me të cilin ne duhet të përballemi dhe duhet të gjejmë mënyra të tjera, se si t’i adresojmë disa nga efektet negative që i ka pasur”.

“Në këtë drejtim, unë mendoj se edhe në vitet e kaluara, MTI-ja dhe Qeveria e Kosovës është përpjekur që t’u dalë në ndihmë prodhuesve vendorë me masa të ndryshme, të cilat sadopak i kanë zbutur ato çështje, për të cilat prodhuesit ankohen”, thotë Nikaj.

Edhe Ibrahim Rexhepi, konsideron se Kosova nuk ka prodhim atraktiv për tregjet anëtare të CEFTA-s.

“Problemi esencial te prodhuesit vendorë është mungesa e aftësisë së tyre konkurruese dhe mungesa e prodhimit, për shkak se Kosova nuk ka prodhim atraktiv dhe tërheqës për tregjet e jashtme”.

“Vetëm duhet të ketë parasysh se në totalin e eksportit të Kosovës , vetëm hekuri apo mbeturinat e hekurit si produkt nga “Ferronikeli” apo prodhuesve më të vegjël, merr pjesë me 60 për qind. Që do të thotë se oferta e kosovarëve është shumë e varfër”, vlerëson Rexhepi për Radion Evropën e Lirë.

Në anën tjetër, zbatimi i këtij projekti ndërkombëtar ka edhe efektet pozitive, zgjerimin e tregut për prodhuesit dhe konsumatorët. Këta të fundit, thotë Nikaj, nga zbatimi i kësaj marrëveshje përfitojnë për shkak të produkteve dhe çmimeve të llojllojshme në treg. Por, kompanitë prodhuese kanë vështirësi të depërtojnë në tregjet rajonale për shkak të konkurrencës së madhe.

“Ka të bëjë edhe me ngritjen e konkurrueshmërisë dhe standardit të prodhimeve vendore, këtu është një fushë ku prodhuesit dhe Qeveria në Kosovë duhet të punojnë për politika të favorshme fiskale, në mënyrë që ata të jenë të konkurrueshëm me prodhuesit në rajon, në kuadër të CEFTA-s, por edhe më gjerë”.

“Në anën tjetër, CEFTA u ofron prodhuesve një treg më të gjerë që nëse kemi prodhime cilësore, atëherë mund t’i plasojmë në një treg më të gjerë, se sa që do të mund t’i plasonim vetëm në një treg prej 2 milionë banorësh”, shpjegon Nikaj.

CEFTA është krijuar me qëllim të eliminimit të pengesave për tregtinë reciproke ndërmjet shteteve anëtare të këtij mekanizmi. Kosova në vitin 2007, zyrtarisht është bërë anëtare e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore. /Telegrafi/
 

0 komente