ekonomi:Lajme
Postuar më: 26 February 2013 / 16:16

Çohu, politika kontrollon institucionet e pavarura

Çohu, politika kontrollon institucionet e pavarura
0

Kontrolli i qeverisë mbi Kuvendin e Kosovës po e mundëson emërimin politik të militantëve partiak nëpër postet kyçe të institucioneve të pavarura. Kështu ka deklaruar për Radio Dukagjinin Avni Zogiani nga Organizata Antikorrupsion “ÇOHU”. Sipas tij institucionet të cilat duhet të jenë plotësisht të pavarura nga politika, asnjëherë nuk kanë qenë të tilla.

“Në asnjë moment nuk i ka shërbyer publikut të Kosovës, ose ekonomisë së Kosovës. Në vazhdimësi kemi pas një sektor financiar të menaxhuar, ose të përshtatur për interesat e bankave të cilat kanë dëmtuar seriozisht interesin dhe ekonominë e Kosovës”, ka thënë Zogiani.

Lidhur me emërimin e mundshëm të ish-ministrit të Financave Bedri Hamza në krye të Bankës Qendrore të Kosovës, shefi i grupit parlamentarë të LDK-së Ismet Beqiri ka deklaruar se BQK-ja po shndërrohet ne bankë të PDK-së.

“Një njeri që deri dje ka qenë ministër dhe është në strukturat e partisë sot me u bë guvernator banke, kjo lidhje nuk ka me institucionin e pavarur në këtë rast të BQK-së. Përkundrazi ajo bankë shndërrohet në bankë të PDK-së”, ka deklaruar Beqiri.

Ndryshe, në seancën e Kuvendit që pritet të mbahet me 1 mars pritet të jetë në rend të ditës edhe përzgjedhja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, ku në garë janë Bedri Hamza, ish-ministër i Financave dhe Gani Gërguri që deri më tash ka qenë në pozitën e guvernatorit. /Dukagjini/Telegrafi/

0 komente