ekonomi:Lajme
Postuar më: 5 February 2013 / 13:35

Diaspora, faktori i tretë i zhvillimit në vend

Diaspora, faktori i tretë i zhvillimit në vend
0

Kështu u tha në e raportin “Hulumtime dhe Analiza për tërheqjen e investimeve nga diaspora”, që u prezantua nga Instituti “Riinvest”, e i cili është realizuar me iniciativë dhe propozim të Ministrisë së Diasporës.

Në këtë tryezë u diskutuan arritjet e Qeverisë së Kosovës në krijimin e lehtësirave për investime nga diaspora, por edhe u venë në pah mangësitë legjislative dhe barrierat që po pengojnë investitorët e huaj, por edhe diasporën shqiptare që të investojnë në Kosovë.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në krijimin e kushteve sa më të favorshme, në mënyrë që legjislacioni në Kosovë të jetë në pajtueshmëri me nevojat e zhvillimit të vendit dhe të jetë i atillë që të stimulohen dhe të joshen investimet në veçanti nga ana e diasporës. “Të gjeturat nga ky raport do të jenë të efektshme për dikasteret e tjerë që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me politikat fiskale dhe me infrastrukturën legjislative që ka të bëjë me investimet që t’i kenë parasysh këto gjendje në mënyrë që legjislacioni në Kosovë të jetë në pajtueshmëri me nevojat e zhvillimit të vendit dhe të jetë i atillë që të stimulohen dhe të joshen investimet në veçanti nga ana e diasporës, por në këtë kuadër pse jo edhe investimet e tjera në Kosovë”, ka thënë Makolli.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, ka thënë se diaspora është faktori i tretë i zhvillimit ekonomik në vend, pas sektorit privat dhe shpenzimeve qeveritare, por ka shtuar se këto investime të diasporës po orientohen në vende jo të duhura. “Faza e parë e ndikimit të diasporës në Kosovë ka qenë në pjesën e para pavarësisë, ku krejt mjetet e diasporës janë dedikuar kryesisht për procesin e mbijetesës së shoqërisë kosovare. Faza e dytë është ajo shtete ndërtimit ku këto mjete kanë shërbyer për një stabilitet social. Në këtë stabilitet social jemi edhe më tutje. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, Kosova këtë vit ka pranuar rreth 570 milionë euro të hyra nga diaspora. Por, fatkeqësia e këtyre të hyrave sipas analizave tona është se pjesa më e madhe e tyre, diku rreth 97 për qind shkojnë për konsum”, ka thënë ai.

Diaspora dërgon remitenca nëpërmjet disa kanaleve, duke përfshirë ato institucionale, si bankat komerciale dhe agjencitë për transferim të mjeteve, si dhe nëpërmjet kanaleve joinstitucionale.

Sipas një ankete të bërë nga UNDP-ja, nga remitencat, prej atyre që investojnë , 59.8 për qind blejnë patundshmëri për përdorim personal, 23.3 për qind investojnë në biznes familjar, 7.1 për qind blejnë patundshmëri për ta lëshuar me qira dhe 5.6 për qind investojnë në sektorin e shërbimit. /Telegrafi/

0 komente