ekonomi:Lajme
Postuar më: 16 Shkurt 2013 / 15:40

Fëmijët e Hanit të Elezit festuan me dhurata pavarësinë e Kosovës

Fëmijët e Hanit të Elezit festuan me dhurata pavarësinë e Kosovës
0

Edhe në shkollën fillore “Ilaz Thaçi” të Hanit të Elezit u festua përvjetori i pestë i pavarësisë së Kosovës. Të premten me 15 shkurt fëmijët e kësaj shkolle, të drejtuar nga mësimdhënësit e tyre kishin pregaditur një program me këngë, valle, poezi e prozë për hir të 5 vjetorit të Kosovës. Në manifestim ishin të pranishëm prindërit e fëmijëve, qytetarët e Hanit të Elezit, përfaqësues të Komunës dhe përfaqësues të fabrikës për prodhimin e çimentos SharrCem, të cilët organizuan një garë shkollore për fëmijë si dhe financuan manifestimin. Nënkryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Muzafer Ndernjani, falenderoi SharrCemin për përkrahje të vazhdueshme të të gjitha aktiviteteve të komunës të cilën ai e udhëheq dhe me këtë rast ndau një mirënjohje për kompaninë në fjalë.

“Ndihemi krenar që kemi mundësi sadopak të kontribuojmë në gëzimin e fëmijëve të Komunës së Hanit të Elezit me rastin e 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. SharrCem është e përkushtuar që të kontribuoj në komunitetin ku vepron, sepse është kompani vendore që ka për qëllim të kujdeset per komunitetin” – u shpreh ndër të tjera Gëzim Vlashi përfaqësues i SharrCem, gjatë pranimit të mirënjohjes.

Ata që iu gëzuan më së shumti kësaj dite ishin fituesit e garës shkollore të organizuar dhe financuar nga SharrCem. “Unë ndihem shumë e lumtur që me dijeninë time pata mundësinë të fitoj iPad. Tash e tutje do të mësoj edhe më shumë, ndërsa iPadin do ta shfrytëzoj së bashku me anëtarët e familjes time” - u shpreh Albina Shkreta fituesja e vendit të parë në kategorinë e klasave VII-IX. Ndërsa fituesja 8 vjeçare, Fortesa Suma, tha se ndihet shumë e lumtur që ka fituar biciklete dhe se mezi pret që të dal pranvera që ta ngas atë.

Gjatë manifestimit u dhuran edhe shumë shpërblime të tjera si Llaptop, Play Station, iPod, Bicikletë, top futbolli, e të tjera.



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka