ekonomi:Lajme
Postuar më: 22 December 2012 / 17:33

Greqia mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës

Greqia mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës
0

Duke folur në një takim me biznesmenë nga Kosova në Selanik, Moschopulos theksoi se “Greqia nuk e ka njohur Kosovën, ashtu si dhe Qiproja, Rumania e Sllovakia”.

“Nga njëra anë ekziston mosnjohja, por nga ana tjetër është predispozita për bashkëpunim me Kosovën dhe vullneti që të kontribuojmë në zhvillimin e vendit dhe në prosperitetin e banorëve. Mbështesim dhe inkurajojmë perspektivën evropiane të Kosovës. Duam që i gjithë rajoni i Ballkanit të anëtarësohet në BE dhe këtu përfshijmë edhe Kosovën”, tha ai në Selanik, raporton BalkanWeb.

“Ndokush mund të pyesë se si mund të bëjmë biznes me një vend që nuk e kemi njohur? Mosnjohja krijon vërtet disa veçanti dhe probleme, por ne diplomatët jemi këtu që t’i kapërcejmë ato. E drejta ndërkombëtare na ofron shumë mënyra për të mbuluar edhe dimensionin politik edhe atë ekonomik, duke e ruajtur integritetin e të dyjave. Ekziston vullnet i madh, që të kapërcehen vështirësitë që burojnë nga mosnjohja e Kosovës. Kosovarët duan të bëjnë biznes me ne dhe vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi më ka thënë shumë herë se dëshiron më shumë biznesmenë grekë në vend. Edhe nga ana jonë kemi një vullnet energjik për të bashkëpunuar. Ky është mesazhi që dua të jap me praninë time në këtë takim”.

Sekretari i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi shprehu bindjen se pas anëtarësimit të Kosovës në BERZH, ku Greqia votoi “pro”, shanset për investime nga kompanitë greke do të jenë të shumta, pasi ky zhvillim “do të ketë impakt kolosal për veprat në vend”.

Rukiqi vuri në dukje se eksportet greke drejt Kosovës arrijnë sot në rreth 160 milionë euro, ndërsa anasjelltas, eksportet e Kosovës drejt Greqisë vetëm 600 mijë euro. Ai përfundoi duke bërë të ditur se Kosova ndodhet në një kurs pozitiv zhvillimi ekonomik, ndërsa në vitin 2013 pritet që ritmi i zhvillimit të jetë 3,5 për qind. /Telegrafi/
 

0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka