ekonomi:Lajme
Postuar më: 26 Shkurt 2013 / 16:19

Gruri subvencionohet me 4.6 milionë euro

Gruri subvencionohet me 4.6 milionë euro
0

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, tregoi se mbjelljet vjeshtore të gurit kanë filluar dhe kanë përfunduar kryesisht me kohë. Mbirja e farës, sipas ekspertëve të ministrisë, thotë se ka qenë e mirë dhe temperaturat aktuale janë shumë të favorshme, gjë që kanë bërë që gjendja aktuale e të mbjellave vjeshtore të jetë relativisht e mirë.

“Tani jemi në fazën e riplehërimit dhe fermerët duhet të kenë kujdes të shtuar në aplikimin e dozave të plehut që përdorin dhe ta bëjnë këtë në kohën e duhur, pra deri në fillim të muajit prill, që të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në një zhvillim sa më të mirë të bimës. Në aplikimin e riplehërimit, fermerët është mirë të bazohen në analizat e tokës, që shumica e fermerëve të mëdhenj i bëjnë rregullisht”, tha Behramaj.

Ai tregoi se kostoja e përgjithshme për të mbjellë një hektarë me grurë vlerësohet se sillet në rreth 450 euro dhe sivjet i kanë rritur subvencionet për 25 për qind. “Për një hektarë të mbjellë me grurë, fermerët do të subvencionohen me 125 euro, ndërsa për një hektarë të mbjellë me farë për grurë, 200 euro. Buxheti fillestar i planifikuar për subvencionimin e këtyre të mbjellave është 4.6 milionë euro”, tha zëdhënësi Behramaj.

E prodhuesit e grurit dhe farës së tij, tregojnë se kushtet klimatike, kanë qenë shumë të favorshme deri më tash për mbirjen e kësaj kulture bujqësore.

Drejtori i fabrikës së farërave ‘Agroelita”, Ilaz Selimi, thotë se sivjet kanë të mbjellë një sipërfaqe prej 300 hektarësh me grurë dhe farë të tij. “Që nga viti 2003 merremi me këtë veprimtari bujqësore dhe aktualisht ne prodhojmë 5 varietete hungareze të farës së grurit, ku përveç se po i shtojmë sipërfaqet me këtë kulturë, po arrijmë të prodhojmë edhe varietete të ndryshme të farës së grurit, që për ne po tregohet mjaft e leverdishme, pasi edhe kërkesat po rriten vazhdimisht për këtë farë”, thotë Selimi.

Ai tregon se viteve të fundit është mbështetur edhe me subvencione nga Ministria e Bujqësisë, të cilat sipas tij po ndikojnë në zhvillimin e suksesshëm të kësaj veprimtarie bujqësore.

Ndryshe, në bazë të të dhënave të raportuara nga komunat në Ministrinë e Bujqësisë, këtë vit janë mbjellë 86 mijë e 684 hektarë grurë. Ndërsa, vitin e kaluar të mbjella kanë qenë 83 mijë e 875 hektarë. /Telegrafi/



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka