ekonomi:Lajme
Postuar më: 19 Mars 2013 / 14:58

ICK pranohet anëtare e asociuar në EBN

ICK pranohet anëtare e asociuar në EBN
0

Innovation Centre Kosovo me pranim në EBN e ka shtrirë rrjetin e saj edhe jashtë Kosovës duke krijuar kështu edhe më shumë hapësirë dhe zhvillim edhe për ndërmarrësit kosovarë dhe idetë e tyre të bazuara në inovacion dhe teknologji. Pranimi i ICK-së në EBN është ngjarje me rëndësi ngase pjesë e saj janë kompani të ndryshme si British Steel, Cockerill-Sambre, Natwest, IRI Group, Générale de Belgique, Fiat, Control Data Corp., EVCA, Philips, Barclays, etj.

Në ceremoninë e pranimit zyrtar, e cila mbahet më 19 mars 2013 në zyret e EBN-së në Bruksel të Belgjikës, do të jetë i pranishëm Uranik Begu Drejtor Ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo. Begu gjatë qëndrimit në Belgjikë do të zhvillojë takime me Alvaro Simon De Blas president i EBN-së dhe me Philippe Vanrie CEO i EBN-së.

“Pranimi i Innovation Centre Kosovo në EBN është një lajm i mirë jo vetëm për qendrën por edhe për bizneset e pranishme në inkubatorin tonë sepse përmes pranisë sonë në EBN ato do të kenë mundësi të prezantohen edhe jashtë Kosovës drejt tregut evropian”, thotë Begu.

Inkubatori i ICK-së i mbështetë ndërmarrësit dhe bizneset përmes mentorimit, konsultimit, trajnimit dhe me qasje në zyra dhe objekte për konferenca. Inkubatori ofron një ambient angazhues për komercializimin e ideve të shëndosha për biznes dhe vizibilitet në treg për ndërmarrjet e reja dhe ato ekzistuese. Innovation Centre Kosovo është i pajisur tërësisht për zhvillim të ndërmarrësisë dhe biznesit, të fokusuar veçanërisht në teknologjinë e informimit dhe komunikimit (TIK). Deri tani në inkubatorin e ICK-së janë pranuar 26 ekipe me ide biznesi të bazuara në teknologji dhe inovacion. ICK veçmas shërbimeve të inkubatorit ofron edhe trajnime të ndryshme. Disa nga trajnimet që ofron ICK-ja janë trajnimi për programim në iOS, ueb dizajn, AutoCAD, rrjete sociale, etj.

Athene Prosjektledelse nga Norvegjia dhe Shoqata për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) në Kosovë, janë themeluesit e ICK-së, ndërsa Crimson Capital LLC Kosovë, është partneri kryesor bashkëpunues. ICK financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë. /Telegrafi/



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka