ekonomi:Lajme
Postuar më: 22 December 2012 / 20:52

Importi ngufat ekonominë e Kosovës

Importi ngufat ekonominë e Kosovës
0

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës të titulluar “Stabiliteti Financiar” thuhet se niveli i lartë i deficitit tregtar vazhdon të kontribuojë në nivel të lartë të deficit të llogarisë rrjedhëse, që pjesërisht zbutet falë transfereve rrjedhëse.

Të dhënat në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, të BQK-së tregojnë se deficiti tregtar në Kosovë arriti në 988.5 milionë euro që paraqet rritje vjetore prej 6.4 për qind.

Rritja e deficitit i adresohet rritjes së importeve prej 2.6 për qind dhe rënies së eksporteve prej 18.4 për qind.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se deficiti i lartë tregtar në Kosovë është pasojë e politikave jo të favorshme për prodhuesit vendor.

“Kosova vazhdon të ketë raport negativ sa i përket bilancit tregtarë dhe nuk ka shenja të përmirësimit të dukshëm tash e sa vite. Kjo tregon se Kosova në këtë drejtim nuk ka pasur politika që favorizojnë prodhimin e vendit në mënyrë që të bie nevoja për artikujt e importuar”, thotë Rukiqi.

Deficiti i lartë tregtar e ka përcjellë ekonominë e Kosovës që nga përfundimi i luftës. Niveli i ultë i eksporteve, sipas Rukiqit, ka bërë që Kosova të ketë një ekonomi të dobët krahasuar me vendet e rajonit.

“Ekonomia e Kosovës dëmtohen nga deficit i lartë tregtarë për shkak se drejtpërdrejtë ndikon në rritjen ekonomike të vendit dhe rritë koston e jetës, importet çdoherë janë më të shtrenjta dhe realisht e ka ngadalësuar rritjen ekonomike pas që importi i lartë drejtpërdrejtë ka ndikim në GDP dhe të ardhurat për kokë banori”, thotë Rukiqi për Rel.

Në vitet para luftës, Kosova kishte eksport shumë më të lartë se sa tani. Industria në Kosovë ishte në funksion të ekonomisë së Kosovës dhe kjo bënte që vendi të kishte çfarë të eksportonte, vlerëson profesori i ekonomisë, Bedri Selmanaj.

Por, pas luftës ai thotë se politikat ekonomike në Kosovë të ndërmarra nuk kanë qenë në favor të ri industrializimit në Kosovë.

“Ky ri industrializim që ka ndodhur shumë ngadalë nuk ka mundësi, nuk ka rrethana, nuk ka faktorë shtytës edhe nga politikat ekonomike që t’i krijojnë sektorëve të rëndësishëm industrial që do të kenë mundësi ta shtojnë eksportin, po ashtu ato nuk kanë pasuri mundësi që të krijojnë kapacitete të reja”, thotë Selmanaj.

Selmanaj konsideron se autoritetet e Kosovës duhet të ndihmojë prodhimin dhe duke iu krijuar prodhuese vendor politikave të favorshme fiskale.

“Në këtë gjendje duhet që të gjitha ndërmarrjeve që janë të orientuara në prodhim që të iu krijohen kushte të favorshme të politikave të mira fiskla. Ata duhet të përkrahen nga të gjitha tatimet e mundshme të cilat kishin me ngarkuara rifillimin e punëve që duhet t’i bëjnë ndërmarrësit që kanë potenciale për të bërë kapacitete industriale”, thotë ai.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se eksportin e Kosovës e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, produktet minerale. Përqindja më e madhe e eksportit të produkteve kosovare bëhet nga vendet e Bashkimit Evropian, Shqipëri, Zvicra dhe Maqedonia.

Ndërsa, importohen produktet minerale, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani. Përqindja më e madhe e importit është nga vendet e Bashkimit Evropian, Serbia, Maqedonia,Gjermania, Italia, Turqia si dhe Kina. /Telegrafi/
 

0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka