ekonomi:Lajme
Postuar më: 17 January 2013 / 09:32

Kosova me kod +383 ose + 384

Kosova me kod +383 ose + 384
0

Kosova shumë shpejt mund ta ketë kodin e vet telefonik +383 ose +384. Kjo alternativë po shihet si më e mundshmja nga institucionet përgjegjëse në fushën e telekomunikacionit. Sponsorizues do të jetë Bashkimi Evropian dhe shihet si zgjidhje e përkohshme deri në anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në një intervistë për Express, shefi i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Ekrem Hoxha, ka thënë se ideja e një kodi të përbashkët me Shqipërinë nuk është zgjidhja ideale. “Vullneti i Kuvendit nënkuptohet që i ka detyrimet e veta. Dhe kodi me Shqipërinë është njeri prej skenarëve. Po ekonomikisht, teknikisht dhe ligjërisht si dy shtete në të ardhmen tonë të projektuar nuk është zgjidhja ideale”, ka thënë Hoxha.

Opsioni më i mundshëm mbetet ai përmes ITU-së, ku sponsorizues do të ishte Bashkimi Europian. Deri në anëtarësimin e Kosovës si anëtarë e OKB-së është mundësia që ITU të ndajë kode të përkohshme.

Sipas Hoxhës, janë dy kode të lira në këtë institucion, njërin prej të cilëve po synohet që ta përvetësojë Kosova. “Bashkimi Evropian do ta lehtësojë procesin e aplikimit të Kosovës në qoftë se shkohet me atë skenarin e marrjes se kodit të prefiksit +383 ose +384, që janë kode të lira në ITU. Kjo është kërkesa jonë dhe po punohet në këtë drejtim”, ka thënë Hoxha.

Dialogu me Serbinë në fushën e telekomunikacionit sipas Hoxhës nuk ka të bëjë fare me çështjen e kodit. “Për kodin, të kuptohet drejt nuk dialogohet me Serbinë, sepse Serbia nuk është autoritet që e ka atë të drejtë. Këtë autoritet e ka vetëm ITU-ja, e cila është mekanizëm i Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai ka pranuar se Serbia mund të jetë faktor pengues në ketë proces. Kjo sepse Kosova duhet t’i sigurojë dy të tretat në asamblenë e OKB-së për ta fituar statusin e observuesit, që është kusht për të aplikuar në procedurë të rregullt.

Po ashtu Serbia është edhe anëtare në Këshillin drejtues të ITU-së, prej nga mund të bëjë ndonjë pengesë.

Sipas tij, interesi kryesor i Kosovës në këto bisedime është ndërprerja e operatorëve të paautorizuar në pjesën veriore, si dhe legalizimi i operimeve brenda ligjit të Kosovës. “Pra interesi ynë është legalizimi i operimeve të paautorizuara, eliminimi i interferencave që na shkaktojnë këta operatorë, evitimi i humbjeve dhe dhënia e përgjigjes në humbjet e akumuluara për 11 vjet, që është bërë edhe vlerësimi ekonomik sesa janë humbjet e shkaktuara”, ka thënë ai.

Për operatoret si 063 ka thënë se mund të legalizohen vetëm me numeracion të kodit të Kosovës. “Kodi 063 nuk mund të përdoret. Vetëm nëse e merr serinë numerike me enumeracion të Kosovës dhe u nënshtrohet ligjeve të Kosovës. Ne jemi autoriteti që e ndan serinë ligjërisht. Operatori 063 është i paautorizuar dhe nuk mund të përdoret”, ka vlerësuar Hoxha. /Express/Telegrafi/

0 komente