ekonomi:Lajme
Postuar më: 16 Nëntor 2012 / 13:20

Kosovë, biznesi në krizë

Kosovë, biznesi në krizë
0

Një nga bizneset në Kosovë, e cila hyn në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, është kompania “Pestova”, në Vushtrri e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e patates.

Bedri Kousmi, pronar i kësaj kompanie, tregon për problemet, me të cilat ballafaqohet biznesi i tij. “Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë ballafaqohen me probleme të shumta. Infrastruktura në Kosovë, siç është energjia elektrike, probleme me furnizim të rregullt me ujë, janë vetëm disa nga problemet, të cilat pengojnë zhvillimin tonë. Pastaj, qasja e kufizuar në financa, kreditë e larta, të gjitha këto na bëjnë të pabarabartë me prodhuesit tjerë të kësaj veprimtarie”, thotë Kosumi.

Kompania “Pestova” mbi 50 për qind të lëndës së parë e prodhon vetë, por pjesa tjetër importohet nga Italia, Holanda, Austria dhe Sllovenia. “Pakoja e re fiskale, e cila pritet të miratohet në Kuvend, nuk është në favor të veprimtarisë sonë, aty nuk jemi të liruar nga taksa për lëndë të parë, derisa prodhuesit e vendeve të rajonit, në veçanti ata nga Serbia, kanë kushte më të mira për të ushtruar veprimtarinë e tyre. Moslirimi nga taksa na bën të pabarabartë me prodhuesit e vendeve të rajonit”, shton Kosumi.

Ndërkohë, përfaqësues të komunitetit të biznesit vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet shtetërore që t’i subvencionojnë në mënyra të ndryshme prodhuesit vendorë, pasi që, sipas tyre, me rritjen e shitjes së prodhimeve vendore, përpos që përfiton biznesi, përfiton konsumatori me prodhime më cilësore dhe njëkohësisht përfiton shteti nga mbledhja e tatimeve dhe punësimi.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë përbëjnë mbi 90 për qind të numrit të përgjithshëm të bizneseve në vend, si dhe absorbojnë rreth 65 për qind të vendeve të reja të punës.

Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht këtyre fakteve, këto biznese të vogla dhe të mesme ballafaqohen me probleme të shumta dhe nuk përkrahen nga autoritetet e Kosovës. “Këto ndërmarrje, të cilat në shumicën e vendeve në zhvillim shikohen si sektor që gjeneron punësim dhe zhvillim ekonomik, në Kosovë ato ballafaqohen me problem të shumta. Ato kanë probleme në marrjen e kredive në banka, pasi që kushtet e bankave janë të tilla dhe të pafavorshme për to. Problem tjetër mbetet edhe sistemi ligjor, që nuk është në favor të këtyre ndërmarrjeve”, thekson Demi.

Ndryshe, disa nga kushtet bazë për inkuadrimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Bashkimin Evropian, që Kosova duhet të plotësojë, janë minimizimi dhe eliminimi i barrierave administrative, ulja e kostos dhe kohës së fillimit dhe vazhdimit të biznesit, tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe abuzimit. /Rel/Telegrafi/



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka