ekonomi:Lajme
Postuar më: 16 January 2013 / 13:57

Kredi për ekzistencë

Kredi për ekzistencë
0

“Të punësuarve në sistemin publik dhe privat nuk u mjaftojnë pagat për të blerë vetura, apo për të bërë renovime në objektet e banimit, prandaj orientohen në banka për të marrë kredi konsumuese, në kuadër të të cilave hyjnë këto shpenzime”, thotë Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).

Sipas tij, me të ardhurat e punëtorëve nuk u mundësojnë punëtorëve një jetë të dinjitetshme, por kanë mundësi t’i blejnë produktet bazike ushqimore, t’i paguajnë shërbimet publike dhe strehimin (qiranë). ”Me të ardhurat në Kosovë punëtorët mund ta bëjnë një jetesë nën mesataren evropiane”, shprehet ai.
Ndërsa, sipas Buletinit makroekonomik të Ministrisë së Financave (MF) për periudhën janar-qershor 2012, struktura e importit në Kosovë paraqet një pasqyrë të qartë të nivelit dhe strukturës së konsumit të përgjithshëm.

Nga të dhënat e deritanishme të importit vërehet një ngritje e theksuar e sasisë së importuar të mallrave konsumuese. Më konkretisht, është evidentuar një rritje prej mbi 10% e sasisë së mallrave konsumuese të importuara, shkruan Zëri.

”Ndonëse kjo rritje mund të jetë mbështetur nga ngritja e të ardhurave nga kompensimi i punëtorëve kosovarë që punojnë në vendet e Lindjes së Mesme, efekti i plotë i ngritjes së pagave të disa kategorive të shërbyesve civilë në vitin e kaluar vlerësohet të ketë qenë i konsiderueshëm”, thuhet në këtë dokument të përgatitur nga MF, duke shtuar se normat kamatore për kreditë konsumuese kanë pasur trend të lehtë rritës, nga 9,4 % në 9,6 % gjatë vitit të kaluar.

Ndryshe, edhe në vendet e Evropës Juglindore aktiviteti kreditues gjatë vitit 2012 është karakterizuar me një rënie të lehtë të trendit të rritjes, përderisa depozitat vazhduan të karakterizohen me normë më të lartë të rritjes krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Të dhënat për gjysmën e parë të vitit 2012 tregojnë se me përjashtim të Malit të Zi, ku kreditimi shënoi rënie, të gjitha vendet e EJL-së kanë shënuar rritje të kreditimit, por te shumica e tyre norma e rritjes ishte më e ulët sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, rritja më e lartë e normës së kreditimit është regjistruar në Serbi (15.2 për qind), Shqipëri (10.2 për qind), Kosovë (9.3 për qind), Maqedoni (8.2 për qind), Bosnje e Hercegovinë (5.1 për qind), dhe Kroaci (3.4 për qind), përderisa Mali i Zi raportoi rënie prej 5.2 për qind të kredive. /Telegrafi/

0 komente