ekonomi:Lajme
Postuar më: 22 December 2012 / 17:25

Kriza në Eurozonë prek edhe Kosovën

Kriza në Eurozonë prek edhe Kosovën
0

Banka Qendrore vlerësoi se ekonomia e Eurozonës ka gjasa të tkurret me rreth 0.5 për qind këtë vit dhe ndoshta edhe 0.3 për qind në vitin 2013, para se të rifillojë rritjen me 1.2 për qind në vitin 2014.

Ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se kjo krizë ekonomike në shumë vende të botës, e në veçanti në shtetet e Bashkimit Evropian, do të prekë edhe Kosovën.

Aty ku mund Kosova të preket nga kjo krizë ekonomike në Eurozonë, janë remitencat, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë.

Lekë Musa, ekspert i ekonomisë, thotë Radion Evropa e Lirë, se ekonomia e Kosovës për vite të tëra është e varur nga dërgesat e emigrantëve dhe kriza ekonomike në Eurozonë do të ketë efektet negative.

“Duke pasur parasysh trendët global dhe rritjen ekonomike apo depresionin ekonomik që është në shumë vende të botës dhe kryesisht në shtetet e Bashkimit Evropian, kjo do të reflektohet te diaspora kosovare dhe gjithashtu do të ketë reflektime edhe në ekonominë e Kosovës”, vlerëson Musa për Rel.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, dërgesat e emigrantëve u treguan më stabile duke arritur vlerën prej 261.5 milionë euro në qershor 2012 që paraqet një rënie vjetore prej 0.7 për qind.

Bazuar në statistikat zyrtare, konsiderohet se afër 25 për qind e popullatës ose mbi 500 mijë emigrantë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Sipas një sondazhi të Institutit të Hulumtimeve Gallup, të bërë kohë më parë, pas anketimeve të zhvilluara në 135 vende të botës, del se Kosova radhitet lart në listën e vendeve që marrin remitenca, me 23 për qind apo me më së shumti në rajon.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi, thotë se kriza ekonomike në vendet e Eurozonës përveç se do të reflektojë në rënien e remitencave në Kosovë, do të ketë edhe rënie të investimeve të huaja.

“Herën e parë kur ka pasur krizë financiare në botë në vitin 2008, shumë donatorë kanë larguar donacione nga listat e tyre, duke përfshirë edhe Agjencinë Britanike për Zhvillim, e cila kishte larguar Kosovën si pjesë e vendeve kur duhet të investohet për shkak të krizës financiare dhe ka kanalizuar investimet e saj vetëm përmes fondeve të Bashkimit Evropian. E njëjta mund të ndodhë në zvogëlimin e ndihmave të huaja dhe remitencave”, shprehet Demi.

Por, për ekspertin e ekonomisë, Lekë Musa brengosëse mbetet çështja se Qeveria e Kosovës nuk ka një plan për zëvendësimin e këtyre remitencave.

“Është koha e fundit që ekonomia në Kosovë t’u kthehet burimeve të zhvillimit, të cilat do ta kenë bazën këtu në Kosovë dhe jo të varemi edhe më tutje nga këto mjete që dërgohen nga jashtë në formë të remitencave”, thekson Musa.

Burim tjetër që do të zëvendësonte këto remitenca, sipas Lekë Musës është stimulimi i prodhimit dhe shërbimeve të ndryshme, ku të ardhurat do të krijoheshin në Kosovë.

Një rekomandim për zëvendësimin e këtyre të ardhurave e bëjnë edhe përfaqësues të Institut GAP. Agron Demi thotë se burim i zëvendësimit të remitencave është vendosja e kuotave për produktet e importuara, e cila rrjedhimisht do të ulte deficitin tregtar dhe do të rriste prodhimin vendor.

“Një gjë e tillë do të duhej të ndodhte pasi që Kosova gjithnjë po varet shumë nga krizat ekonomike të jashtme. Pasi që në Kosovë ka një ekonomi të hapur dhe Kosova nuk ka politikë monetare që do të do të mund të ndikonte në mënyra tjera, e vetmja gjë që mund ta bënte Kosova është krijimi i politikave për uljen e deficitit tregtar”, potencon Demi. /Telegrafi/
 

0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka