ekonomi:Lajme
Postuar më: 21 December 2012 / 19:18

Mbajtja e dy posteve është konflikt interesi

Mbajtja e dy posteve është konflikt interesi
0

Ejup Qerimi, kryeshef i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), i cili mban edhe pozitën e anëtarit të bordit në Trustin për Kursime Pensionale, është në konflikt interesi.

Kështu ka vendosur Gjykata e Lartë për Kundërvajtje të premten më 21 dhjetor 2012.

Sipas aktgjykimit, Qerimi duhet të paguajë edhe gjobën prej dymijë euro, për shkak se është vërtetuar se i pandehuri duke mbajtur dy poste publike ka kryer kundërvajtje.

Më 15 tetor 2012, Gjykata Komunale e Kundërvajtjes kishte vendosur që Qerimi ishte në konflikt interesi, duke mbajtur dy pozita publike, se duhej të paguante dymijë euro gjobë dhe se nuk mund të ushtronte poste publike për tre muaj, raporton “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Kryeshefi Qerimi ishte ankuar më 22 tetor 2012 në Gjykatën e Lartë për Kundërvajtje, duke thënë se shkalla e parë ka bërë shumë lëshime gjatë miratimit të aktvendimit për të.

Përmes ankesës, ai pretendonte se ka organe të tjera mbikëqyrëse përveç Agjencisë Kundër Korrupsionit, që e kanë për të detyrë zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Kështu, sipas tij, Banka Qëndrore është organ që e monitoron zbatimin e ligjit në Trustin e Kursimeve Pensionale, ndërsa Bordi i PTK-së monitoron punën e Kkyeshefit Ekzekutiv dhe e parandalon atë të bjerë ndesh me këtë ligj, thuhet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Qerimi kishte thënë në ankesë se këto dy organe i kanë dhënë opinion ligjor, sipas të cilit, mbajtja e të dy pozitave nga ai nuk paraqet konflikt interesi.

Të gjitha këto pretendime i ka hedhur poshtë Gjykata e Lartë për Kundërvajtje, duke vërtetuar se Gjykata Komunale për Kundërvajtje kishte vepruar drejt.

Por, Qerimi është liruar nga pjesa e aktvendimit, e cila e detyronte atë të jepte dorëheqje nga të dy postet, për periudhën tremujore.

"…ndryshohet aktvendimi i goditur në pjesën që ka të bëjë me shqiptimin e masës mbrojtëse, i cili e liron Ejup Qerimin nga ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në kohëzgjatje prej tre muajsh", thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Lartë për Kundërvajtje.

Pas këtij aktgjykimi, Qerimi nuk ka të drejtë të ankohet dhe duhet të zbatojë vendimin e gjykatës. /Telegrafi/
 

0 komente