ekonomi:Lajme
Postuar më: 26 December 2012 / 16:02

Mbi 1.1 milion euro grante investive për blegtorinë‏

Mbi 1.1 milion euro grante investive për blegtorinë‏
0

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se përpjekjet e tyre për të rritur buxhetin për sektorin e bujqësisë, duke përfshirë këtu edhe blegtorinë, të cilin ka disa vite që e përkrahin përmes granteve investive dhe subvencioneve, kanë treguar rezultate konkrete. Ai tha se duke ditur rëndësinë që ka ky sektor dhe duke pranuar që në të kaluarën ka munguar përkrahja e mirëfilltë financiare, por edhe profesionale për fermerët e vendit tonë sidomos të kësaj lëmie, kanë përgatitur disa forma të përkrahjes që kanë ndikuar dukshëm edhe në rritjen e numrit të përfituesve. “Viteve të fundit e kemi rritur përkrahjen financiare për sektorin e blegtorisë, duke përfshirë këtu gjedhet dhe kafshët e imëta, mirëpo duke parë që kjo është e pamjaftueshme ne kemi vendosur që të përgatisim edhe një masë të veçantë dhe ato kanë qenë grantet investive, të cilat edhe në këtë sektor, por edhe në sektorët e tjerë po tregojnë rezultate të konsiderueshme dhe të prekshme në terren”, tha ministri Stavileci, duke treguar se sivjet përkrahja për këtë sektor është rritur në rreth 2 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.

Ai tregoi se që nga viti i ardhshëm do të ketë një buxhet më të madh për sektorin e bujqësisë dhe sipas Stavilecit, vendin meritor do ta zë edhe prodhimtaria e qumështit, industria prodhuese dhe përpunuese e mishit dhe mekanizmi bujqësor për fermerët kosovarë.

Në anën tjetër, njëra nga fermerët përfituese të këtyre granteve, Drita Kabashi nga komuna e Suharekës, e cila udhëheq një fermë të lopëve qumështore tha se nga viti në vit, përmes përkrahjes së Ministrisë së Bujqësisë, ka arritur të shtojë krerët e bagëtisë dhe të rris edhe prodhimtarinë e qumështit. “Gjatë dy viteve të fundit kam përfituar grante investive nga Ministria e Bujqësisë dhe falë kësaj mbështetje kam arritur që të jem e suksesshme në sektorin blegtorisë, sepse kam rritur edhe të ardhurat nga kjo veprimtari blegtorale”, thotë fermerja Kabashi.

Ndryshe, përpos granteve investive për sektorin e blegtorisë, Ministria e Bujqësisë gjatë këtij viti i ka subvencionuar edhe 6521 mbarështues të lopëve qumështore dhe bagëtisë së imtë në vlerë prej rreth 3.4 milionë euro. Ndërsa, sipas raportit të vlerësimit afatmesëm të ndikimit të granteve investive në prodhimtarinë e qumështit, i cili është bërë nga ekspertët e BE-së, investimet e Ministrisë së Bujqësisë në këtë sektor kanë krijuar 1079 vende të reja të punës. /Telegrafi/

 

0 komente