ekonomi:Lajme
Postuar më: 12 Shkurt 2013 / 15:57

Një milion euro për ujitjen e tokave bujqësore

Një milion euro për ujitjen e tokave bujqësore
0

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, tha se zhvillimi i bujqësisë nuk mund të arrihet pa shfrytëzimin racional të pasurive ujore dhe pa vendosjen, rehabilitimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së ujitjes.

“Gjendja teknike e një pjesë të madhe të infrastrukturës së ujitjes nuk është e mirë. Pendët, rezervuarët e ujit, stacionet e ujitjes, pompat, kanalet dhe gypat kanë nevojë për rehabilitim, për ndërtime të reja dhe për mirëmbajtje të rregullt. Zhvillimi i bujqësisë intensive dhe konkurruese, në kushtet ekonomisë se tregut të lirë, është i pamundur pa zhvillimin e sistemit të ujitjes, prandaj sivjet për dallim nga vitet e kaluara, përmes granteve investive do t’i përkrahin me një milion euro edhe projektet individuale të fermerëve, sipërfaqja e të cilëve duhet të përfshijë minimum 2 hektarë”, tha zëdhënësi Behramaj.

Ai tregoi se kostoja minimale e investimeve të pranueshme është 5 mijë euro dhe maksimalja 100 mijë euro. Thirrja për aplikim, e cila do të bëhet ditëve në vijim, sipas tij, do të jetë e hapur 65 ditë nga dita e publikimit, derisa investimi duhet të realizohet në afat prej 120 ditësh nga data e aprovimit të projektit nga komisionet përkatëse.

Nga kjo masë do të përfitojnë fermerët, grupet dhe shoqatat e ndryshme të fermerëve, shoqatat e ujitjes, të cilët në projektet e tyre do të mbështeten në masën prej 80 për qind nga Ministria e Bujqësisë, derisa pjesa tjetër do të jetë vetëfinancim. Përmes këtyre investimeve synohet të rehabilitohet dhe modernizohet infrastruktura ekzistuese e ujitjes, të bëhet hapja e puseve, ndërtimi i rezervarëve për ujitje, kyçja në kanale të furnizimit publik, blerja e pompave dhe pajisjeve përcjellëse, shtrirja e rrjetit të gypave për sistemin e shpërndarjes së ujit, hapja dhe ndërtimi i kanaleve sekondare për ujitje, etj.

Përmes investimeve kapitale të deritashme, që arrijnë në rreth 5 milionë euro, Ministria e Bujqësisë ka arritur të përfshijë nën ujitje rreth 18 mijë hektarë të rinj të tokës bujqësore. /Telegrafi/



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka