ekonomi:Lajme
Postuar më: 2 December 2012 / 09:40

Pa depo doganore

Pa depo doganore
0

Doganës së Kosovës nuk po i pritet që bizneset t’i paguajnë taksat. Të gjithë importuesit që deri më tani kanë mundur ta sjellin njëherë mallin në Kosovë e pastaj t’i paguajnë detyrimet doganore varësisht nga sasia e shitur, rrezikojnë ta humbin këtë të drejtë.

Dogana e Kosovës u ka dërguar letër afro 160 ndërmarrjeve që kanë depo doganore se nuk ka arsyeshmëri ekonomike të vazhdohet më kështu.

“Ju njoftojmë se ky është një njoftim paraprak para se të merret vendimi definitiv për ndërprerje të autorizimit me qëllim që ju të merrni masa që në një periudhë sa më të shkurtër të filloni me pagesën e taksave për mallin e deponuar ose t’i jepni trajtim tjetër të lejuar doganor”, thuhet në shkresën e doganës dërguar bizneseve, shkruan Express.

Në praktikë, deponimi doganor krijon mundësin e vendosjes së mallrave nën mbikëqyrje doganore në një vend të autorizuar nga Dogana e Kosovës (Depo Doganore), pa pagesën e detyrimeve të importit, pra do të shtyhet pagesa e taksave doganore deri atëherë kur ato plasohen në treg.

Kur ato të dalin në treg, atëherë kompania duhet t’i paguajë detyrimet doganore për atë sasi të mallrave të plasuar në treg. Gjithashtu jep mundësinë e ri-eksportimit të mallrave në ndonjë treg të huaj, pa ndonjë ngarkesë të detyrimeve.

Por, sipas zyrtarëve të doganës, bizneset nuk janë duke e respektuar këtë të drejtë në përpikëri.

“Depot doganore kanë lëvizur nga qëllimi kryesor. Disa kompani i kanë shfrytëzuar depot për t’i shtyrë pagesat doganore dhe për këtë arsye do të mbyllen”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganave. /Telegrafi/
 

0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka