ekonomi:Lajme
Postuar më: 3 April 2013 / 16:44

Papunësia në Eurozonë, ndikime edhe në Kosovë

Papunësia në Eurozonë, ndikime edhe në Kosovë
0

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale "STRAS”, thotë se papunësia në eurozonë nuk mund të reflektohet shumë në çështjen e papunësisë, sepse sipas tij, në Kosovë me vite mbretëron një papunësi e madhe, mirëpo në parametrat tjerë ekonomik ndikimet janë të mëdha.

Kryesisht, thotë Rexhepi, nga papunësia në eurozonë mund të rrezikohen dërgesat e kosovarëve që jetojnë në këto vende. “Për shkak se për çdo vit nga atje vinë rreth 500- 600 milionë euro, apo mbi 10 për qind të GDP-së në vend. Për këtë arsye, rritja e papunësinë në vendet e zonës se euros, në rend të parë godet këtë kategori të kosovarëve. Do të thotë mbyll apo ngushton mundësitë e furnizimit të tregut të Kosovës më para të freskëta, më para kesh”, shprehet Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Papunësia në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 44.9 për qind.

Ndërkaq, sipas Zyrës se Bashkimit Evropian për Statistika, Eurostat, në muajin shkurt, të papunëve në 17 vendet e Bashkimit Evropian, që e përdorin monedhën euro, u janë bashkuar edhe 33 mijë vetë.

Në këtë mënyrë, numri i të papunëve arriti në 19 milionë.

Më të prekurat mbesin Spanja dhe Greqia, ku shkalla e papunësisë është mbi 26 për qind.

Përveç rënies së mundshme të remitencave nga bashkatdhetarë tanë që jetojnë në vendet evropiane, eksperti tjetër i ekonomisë, Mejdi Bektashi, thotë se papunësia në eurozonë do të ndikojë në punësimin sezonal jo vetëm në Kosovë, por edhe vendet tjera të rajonit.

“Përveç remitancave, mundësia e punësimeve sezonale do të jetë shumë më e vogël, jo vetëm për tregun e punës në Kosovë, por edhe për tregjet e shteteve të rajonit. Sepse në këto shtete kërkesa do të zvogëlohet për forcë të re punuese”, shprehet Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Problem tjetër që sjell në Kosovë rritja e papunësisë në Eurozonë, është edhe mundësia e zvogëlimit të eksportit të prodhimeve kosovare në vendet e Bashkimit Evropian, thotë Ibrahim Rexhepi. “Sa do që eksporti është i vogël në raport më importin, megjithatë 2/3 e tij janë të orientuara nga vendet e BE-së. Më rritjen e papunësisë në këto vende, bie edhe fuqia konsumuese, çka do të thotë edhe mundësitë e kosovarëve për eksport janë bukur të reduktuara. E që drejtë për drejtë reflekton në angazhimin e kapaciteteve prodhuese, e për mosangazhim të mjaftueshëm të tyre, atëherë kjo mund të sjell papunësi apo largim të njerëzve nga puna”, thotë Rexhepi.

Në të 27 vendet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe ato që nuk e përdorin euron, shkalla e papunësisë për muajin shkurt është rritur në 10.9 për qind, pasi 76 mijë njerëz mbetën pa punë. Në BE thuhet se afro 26.3 milionë njerëz mbesin pa punë. /Telegrafi/
 

0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka