ekonomi:Lajme
Postuar më: 18 Korrik 2013 / 16:30

Për investimet e huaja, të krijohet mjedis i përshtatshëm

Për investimet e huaja, të krijohet mjedis i përshtatshëm
0

Projektligji i ri për investimet e huaja, i kthyer nga Kuvendi në qeveri, është miratuar sërish nga kjo e fundit, me ndryshimet e kërkuara nga deputetët.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha në mbledhjen e djeshme të qeverisë tha se projektligji rregullon mbrojtjen, promovimin dhe nxitjen e investimeve të huaja në Kosovë, dhe garanton mosdiskriminimin e tyre. Sipas saj, me këtë projektligj është paraparë përfshirja e diasporës kosovare si investitorë të huaj. “Edhe diaspora do t’i gëzojë të gjitha të drejtat dhe privilegjet të cilat i gëzojnë investitorët e huaj. Risi tjetër është se Kosova do t’iu jep investitorëve të huaj dhe investimeve të tyre trajtim të njëjtë dhe të barabartë me investitorët vendorë dhe investimet vendore”, tha ajo.

Investitorët e huaj dhe investimet e tyre do të jenë në pajtim dhe do të kenë të drejta dhe obligime me ligjin e aplikueshëm në Kosovë njëlloj si investitorët vendorë dhe investimet vendore, thuhet në projektligj.

Por, analistët ekonomikë shprehen skeptikë se projektligji, pavarësisht ndryshimeve, do të miratohet në Kuvend.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale “STRAS”, tha për Radio Kosovën se projektligji ka kaluar nëpër shumë procedura dhe shfaq dyshime se në të janë përfshirë të gjitha ndryshimet e kërkuara. “Kosova është e njohur që ka mbajt ligje që mund të jenë të mira, por problemi është te moszbatimi i ligjeve, ngathtësia nëpër gjykata dhe në përgjithësi një sistem bukur i plogësht sa i përket mbrojtjes së investitorëve dhe të investimeve”, theksoi ai.

Sipas të dhënave të bankës Qendrore, nga viti 2000 deri në vitin 2012 investimet e huaja në Kosovë ishin në vlerë rreth 2 miliardë e 400 milionë euro. Vitin e kaluar ato ishin në vlerën më të ultë, 232 milionë euro, kurse gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ishin ne vlerë rreth 60 milionë euro, me një rritje rreth 7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. /Telegrafi/



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka