ekonomi:Lajme
Postuar më: 20 Shkurt 2013 / 16:31

Programi i 2013-es, premtues për bujqësinë‏

Programi i 2013-es, premtues për bujqësinë‏
0

Gjatë prezantimit të këtij programi, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se po mundohen që ta ristrukturojnë potencialin bujqësor, për ta fituar primatin si sektor kryesor në zhvillimin ekonomik.

“Me shumëfishimin e buxhetit për bujqësinë dhe shtimin e masave të reja në programin e këtij viti, si dhe me strategjinë 2014-2020, po e rrumbullakojmë infrastrukturën e nevojshme bujqësore, sidomos atë që lidhet me të dhënat e regjistrave bujqësor dhe në masë të madhe po rrisim edhe përkrahjen financiare për fermerë. Dekada e ardhshme do ta gjejë bujqësinë aty ku do të duhej ta kishte vendin shumë më parë, si sektorin numër një të zhvillimit ekonomik në vendin tonë“, tha ministri Stavileci.

Ai tregoi se programi për bujqësinë dhe zhvillimin rural është i mbështetur në dy shtylla kryesore, ashtu siç është edhe në shtetet e BE-së. “Këtë vit ne kemi gjithsej 30 nënmasa të projektuara, përmes të cilave synojmë rritjen e prodhimtarisë bujqësore, rritjen e cilësisë së prodhimeve bujqësore, përmirësimin e strukturës së fermave dhe rritjen e të ardhurave për fermerët. Krahas këtyre, kemi edhe dy projekte shumë të rëndësishme, projekti i regjistrimit bujqësor dhe ai për sigurimin e kulturave bujqësore”, tha Stavileci para rreth 30 përfaqësuesve të shoqatave të fermerëve, të cilët theksuan se pa mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe pa bashkëpunimin që kanë arritur të krijojnë, nuk do të mund të arrinin ku janë sot.

Në programin e sivjetmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, do të ketë subvencione në vlerë prej rreth 12 milionë euro për grurë, për farë gruri, për misër, për lulediell, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për vreshtat ekzistuese, për material fidanor të pemëve dhe për stoqe të verërave.

Ndërsa, përmes granteve investive në vlerë prej rreth 15 milionë euro do të përkrahet prodhimtaria e qumështit, mishit, brojlerëve, vezëve. Pastaj, do të përkrahet edhe prodhimtaria e mjaltës, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtaria e mollës dhe pemëve të imta, vreshtaria, bimët mjekuese.

Si nënmasë e veçantë do të jetë edhe përkrahja e fermerëve në mekanizëm bujqësor dhe krahas gjitha këtyre, këtë vit do të investohet edhe në projekte për ujitjen e tokave bujqësore, në agropërpunim përmes investimeve në pajisje dhe makineri për përpunimin, ruajtjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore, si dhe do të investohet edhe në zona rurale më pak të zhvilluara dhe në projekte publiko-private të Grupeve Lokale të Veprimit. /Telegrafi/

 

 

 



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka