ekonomi:Lajme
Postuar më: 13 June 2008 / 06:11

PTK fitoi 100 milionë euro gjatë 2007

PTK fitoi 100 milionë euro gjatë 2007
0

"Rezultatet financiare për vitin 2007 tregojnë një fitim para tatimit me vlerë rreth 98 milionë euro, që është 30 për qind me e lartë se krahasuar me vitin 2006. Ndërkaq shpenzimet operative janë mbajtur afër nivelit të vitit 2006. PTK-ja ka të punësuar 2500 punëtorë dhe ka vazhduar të mbetet taksapaguesi më i madh i buxheti të Kosovës dhe ka paguar 47 milionë euro vetëm gjatë vitit 2007", thuhet në komunikatën e dërguar për media nga PTK.

Sipas ish-drejtorit të kësaj kompanie, Etrur Rrustemaj, që e menaxhoi atë për dy vite, është hera e parë që auditori ka dhënë opinionin e tij për financat e PTK-së.

“Megjithëse askush nuk më ka kontaktuar për bilancin e kompanisë jam shumë i kënaqur me rezultate që kemi arritur gjatë vitit 2007. Ky rezultat tepër i kënaqshëm, rreth 100 milionë euro fitim është arritur në saje të punës që kemi bërë së bashku me ekipin ”, tha ish-drejtori i kësaj kompanie, Etrur Rrustemaj.

Rrustemaj ka menaxhuar me këtë kompani prej prillit të 2006 deri më 31 dhjetor të 2007, pasi dha dorëheqje nga ky post për shkak të presioneve politike.

Në vitin 2005 gjatë kohës që kjo kompani menaxhohet nga ish drejtori Gavin Jeffrey, në bilancin financiar të 2005 kompania qe nxjerrë me humbje prej rreth 900 mijë eurove.

Ndërsa gjatë vitit 2006 kompania fitoi rreth 70 milionë euro.

Sipas komunikatës së Bordit të Drejtorëve të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK) Sh.A, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur te enjten zyrat qendrore aprovoi këto të dhëna financiare.

Komunikata e kompanisë po ashtu çmon rolin që ka luajtur ajo në sektorin bankar.

"PTK-ja ka luajtur rol të çmueshëm në sektorin bankar të Kosovës, duke mbajtur të gjitha paratë në bankat komerciale të Kosovës dhe në këtë mënyrë duke mbetur depozituesi më i madh në bankat komerciale, me më shumë se 20% të totalit të depozitave bankare në Kosovë".

Komunikata e PTK-së po ashtu potencon edhe problemet që është duke u përballur kompania.

"PTK sigurisht që do ta ndjejë ndikimin e konkurrencës në tregun e telefonisë mobile. Jemi duke u përballur me sfida serioze, në konkurrencë me një kompani private që është e lirë nga pengesat me të cilat ballafaqohet PTK si ndërmarrje publike, si Ligji i Prokurimit Publik etj. PTK shfaqë shpresën e saj të sinqertë që kjo gjendje do të adresohet dhe se në një të ardhme të afërt do të jetë në gjendje të përballet me një konkurrencë ferr dhe të barabartë". /Telegrafi/

0 komente