ekonomi:Lajme
Postuar më: 17 February 2013 / 10:46

Rruga e Kombit – suksesi më i madh për pesë vjet

Rruga e Kombit – suksesi më i madh për pesë vjet
0

Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës, shpjegon se deri më tani janë shtruar gjithsejtë 60.4 kilometra të autostradës nga Vërmica në Gjurgjicë.

Puna, sipas tij, është bërë në një kohë rekorde rreth 8 muaj para planit të paraparë dinamik. “Tashmë është duke u punuar në segmentin 9, ndërsa që vijon procesi i shpronësimeve në segmentet 7 dhe 8. Bazuar në planifikimet e Qeverisë dhe ministrisë së infrastrukturës si dhe në dinamikën e punës nga punëkryesi, presim që i tërë projekti të finalizohet deri në fund të vitit 2013”, thotë Nitaj. Ai tregon  se në gjatësinë e ndërtuar rrugore ndërtuar 14 ura, 23 mbikalime, 20 nënkalime dhe 37 km rrugë lidhëse lokale.

Autostrada, që mban emrin e presidentit të ndjerë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte filluar të ndërtohet më 12 prill të vitit 2010.

Në nëntorin e vitit 2011, u patën lëshuar për qarkullim fillimisht 38 kilometrat e para, deri në fshatin Sllapuzhan të Therandës, ndërsa më në korrik të vitit 2012 u lëshuan në qarkullim edhe 4 kilometra tjera nga Sllapuzhani në Duhël. Segmenti i pestë, nga Duhla në rrugën nacionale Prishtinë- Pejë u lëshua për qarkullim me 27 nëntor 2012, në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Lëshimi për qarkullim i 60 kilometrave të autostradës ia hapi rrugën zgjerimit të veprimtarive për bizneset nga Kosova dhe ato nga Shqipëria, ndërsa u rritën shkëmbimet tregtare në mes të dyja palëve.

Kompania “Pestova”, e cila bën prodhimin dhe përpunimin e patates, është njëra nga kompanitë kosovare së cilës autostrada i krijojë mundësi të mirë për të zgjeruar biznesin edhe në Shqipëri.

Bedri Kosumi, pronari i kësaj kompanie, thotë se realizimi i projektit ka hequr shumë pengesa për depërtimin e patates së tij në tregun shqiptar. “Duke iu falënderuar pikërisht kësaj rruge, ne kemi filluar kultivimin e patates të hershme në Shqipëri përball Laçit në Fushë Kuqe, dhe është pikërisht rruga që na ka mundësuar këtë, se sikur të na duhej të shkonim nga Qafë Thana, ka qenë e pamundur. Shpresoj që edhe pengesat që kanë qenë në të kaluarën siç është referenca doganore më nuk do të ndodhin dhe rruga është ajo që na mundëson që të kemi një treg gjithëkombëtarë”, shprehet Kosumi.
Derisa autostrada po ndërtohet, ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë shprehen mjaft kritik.

Eksperti i çështjeve ekonomike Lumir Abdixhiku thotë se projekti i autostradës ka qenë i ngutshëm për kohën që është bërë.

Sipas tij, ky projekt nuk ka lënë mundësinë e adresimit të shumë nevojave tjera ekonomike që ka pasur Kosova, siç janë ato sociale, edukimi shëndetësia e deri tek krijimi i politikave adekuate për sektorin privat. “Autostrada është një projekt madh, është një projekt i domosdoshëm, rrugët janë të domosdoshme, por jo me formën si është bërë jo me ngutin siç është bërë dhe jo me koston se si e njëjta është bërë”, shprehet Abdixhiku.

Ndërtimin e autostradës është duke e bërë konsorciumi amerikano-turk“Bechtel&Enka”.

Deri në përfundim të vitit 2012 për autostradën janë shpenzuar rreth 580 milionë euro, por kostoja përfundimtare do të dihet saktësisht pas përfundimit të punëve finale. /Rel/Telegrafi/

0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka